Në nisje të vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama bën me dije se shumë shpejt do të finalizohet një marrëveshje me një rrjet universitar në Londër. Kjo do të sjellë hapjen e 4 universiteteve në katër qytete të Shqipërisë: në Fier për mjekësi, i përgjithshëm në Tiranë e Vlorë dhe në Korçë për inteligjencën artificiale dhe teknologjinë.
Pedagogët do të jenë të huaj, por edhe shqiptarë e nga diaspora.
“Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama në episodin e parë të sezonit të shtatë të “Flasim.”
Kryeministri nuk dha më shumë detaje mbi hapjen e universiteteve të reja, ndërsa foli edhe për rezultatet e PISA 2025.
