Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në Kuvend se paralelisht me shpërndarjen e bonusit të fundvitit, qeveria do të shpërndajë edhe një bonus të dytë në pranverë. Ai u shpreh se për këtë qëllim në ditët e para të dhjetorit do të krijohet pranë Bankës së Shqipërisë fondi i bonusit të dytë. Kreu i qeverisë shtoi se ky bonus do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë së shtetit në vitin paraardhës.
“Pas 3-fishimit dhe 2-fishimit të bonusit të fundvitit, në ditët e para të dhjetorit ne po ashtu krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e bonusit të dytë, bonusit të pranverës që do të ndikojë më tej në rritjen e të të ardhurave vjetore të pensionistëve. Vetëm nga këto dy bonuse vjetore plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes ekonomike shembullore të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade”, u shpreh ai.
Qeveria do të ketë gati vitin e ardhshëm planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike bëri me dije kryeministri. Rama theksoi se ky plan do të sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve pa rrezikuar asnjë fije stabilitetin financiar të vendit.
“Ky plan nuk do të kërcënojë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit nga ky dalin edhe të ardhurat për rritjen e qëndrueshme të pagave dhe pensioneve pa i ulur, por përkundrazi duke i rritur njëkohësisht edhe investimet kapitale për Shqipërinë e nesërme”, tha Rama.
