Kryeministri Edi Rama informoi sot se 63% e atyre që mbarojnë arsimin profesional, punësohen, shifër kjo që po orienton të rinjtë gjithnjë e më shumë tek arsimi profesional.
Gjatë punimeve të Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama theksoi se bilanci i kësaj reforme është shumë domethënës dhe inkurajues.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për të folur për çfarë kemi bërë, por mbi të gjitha se çfarë duam të bëjmë në rrugëtimin strategjik për punësimin. Kur kemi nisur këtë rrugë kemi pasur një sistem arsimi tërësisht të degraduar dhe plotësisht të padobishëm për të rinjtë që shkonin në shkollat e arsimit profesional thjesht dhe vetëm për të mos mbetur pa asnjë mundësi tjetër. Por, nga ana tjetër, këta të rinj nuk gjenin aty asnjë kusht për të zhvilluar talentin dhe për të marrë zanatin e tyre”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se shkollat e arsimit profesional kishin kushte minimale infrastrukture, pasi nuk kishin laboratorë dhe asnjë lidhje mes arsimit profesional dhe tregut.
Ndërkohë, sot, tha Kryeministri, “situata është krejt ndryshe”.
“Nëse në fillim të këtij rrugëtimi nxënësit që shkonin në dyert e arsimit profesional ishin pak më shumë se 10%, sot janë thuajse 20%. Por kjo është një faze, ndërkohë që nuk është mbërritje sepse synimi ynë është që të kemi një në tre nxënës në arsimin profesional”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se tashmë muri i lartë i paragjykimeve që ishin të lidhura me arsimin profesional është kapërcyer.
“Dikur arsimi profesional ishte si një rifuxho për nxënësit që kishin rezultate të cilat nuk u jepnin asnjë shans që të shkonin në universitet, megjithëse universitetet ishin me dyer të shqyera nga të katër anët. Sot jemi në kushtet kur është edhe një zgjedhje dhe pikërisht pse funksionon”, tha ai.
Rama theksoi se reforma në arsimin profesional ka marrë si model tre vende, që kanë realisht nivelet më të admirueshme të mënyrës se si e kanë ngritur arsimin profesional dhe e kanë kthyer në një sistem që garanton ekonominë dhe mirëqenien, që janë Zvicra, Gjermania dhe Austria.
“Ka një korrelacion shumë interesant midis fuqisë së këtyre vendeve, modelit që ato kanë krijuar në sytë e të gjithë botës, edhe idesë që lidhet me to si vende të pasura, me faktin që janë vende të cilat kanë një përkushtim të madh dhe historik për arsimin profesional”, theksoi Rama.
Në këto vende, sipas Kryeministrit, arsimi profesional është pjesë integrale e ekonomisë dhe shumëkush që mbaron arsimin profesional nuk mbetet thjesht një zanatçi, por kthehet në një sipërmarrës të vogël dhe bën sukses.
Rama vlerësoi bashkëpunimin me ekselencën e arsimit profesional zviceran, shkollën prestigjioze të turizmit, e cila tani ka hapur dyert në Shqipëri duke u binjakëzuar me shkollën e Hoteleri-Turizmit në Tiranë.
“100% e nxënësve të kësaj shkolle janë të punësuar. 100% e nxënësve të kësaj shkolle të cilët sot janë në bankat e shkollës janë të kontraktuar. Natyrisht që ka nevojë për shumë më tepër, sepse sistemi ynë i industrisë së turizmit është një sistem i ri, por është dhe një sistem i cili është ende larg një sistemi që ofron cilësi”, shtoi ai./ATSH

