Është zyrtare: Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë.
Pas tri viteve në krye të listës vjetore të Economist Intelligence Unit (EIU), kryeqyteti austriak është tejkaluar nga “Wonderful, Wonderful Copenhagen” – Kopenhaga e mrekullueshme.
Kryeqyteti i Danimarkës ka zënë vendin e parë në renditjen e qyteteve më të mira për të jetuar në botë për vitin 2025, listë e publikuar të martën.
EIU, një organizatë motër e revistës The Economist, renditi 173 qytete nga e gjithë bota duke marrë në konsideratë faktorë si kujdesi shëndetësor, arsimi, stabiliteti, infrastruktura dhe mjedisi.
Kopenhaga triumfoi pasi mori vlerësime “të përkryera” për stabilitetin, arsimin dhe infrastrukturën, ndërkohë që Vjena u rendit në vend të dytë, baraz me qytetin zviceran të Zyrihut.
Melburni i Australisë ruajti vendin e katërt, ndërsa Gjeneva e Zvicrës u rendit e pesta.
Jashtë pesë më të mirëve, Sidnei i Australisë u ngjit në listë, duke kaluar nga vendi i shtatë në të gjashtin, ndërsa Osaka e Japonisë dhe Auklanda e Zelandës së Re ndanë vendin e shtatë.
Në vendin e nëntë u rendit Adelaida, qyteti i tretë australian në top 10, ndërsa Vankuveri i Kanadasë mori vendin e dhjetë.
Rënie në vlerësime
Pse Vjena nuk e ruajti vendin e parë këtë vit?
Megjithëse qyteti austriak mori nota të larta në shumicën e kategorive, rezultati i tij në kategorinë e stabilitetit ra ndjeshëm, ndërsa Kopenhaga ruajti nota të larta në të gjitha fushat.
Rënia e “fortë” në pikët e stabilitetit të Vjenës iu atribua incidenteve të fundit, përfshirë një kërcënim me bombë në një koncert të Taylor Swift verën e kaluar, që çoi në anulimin e ngjarjes.
“Jetueshmëria globale ka mbetur në nivele të qëndrueshme gjatë vitit të kaluar, dhe ashtu si në 2024, rezultatet për stabilitetin kanë rënë në nivel global,” tha Barsali Bhattacharyya, zëvendësdrejtoreshë e industrisë në EIU, në një deklaratë.
“Presioni mbi stabilitetin bëri që Vjena të humbasë pozitën e saj si qyteti më i banueshëm pas tre vitesh radhazi.”
Lëvizjet më të mëdha në renditje
Vjena nuk ishte qyteti i vetëm që mori nota më të ulëta në një kategori ku më parë kishte dalë mirë.
Kalgari, që kishte qenë në vendin e pestë në vitin 2024, këtë vit ra në vendin e 18-të pas një vlerësimi më të ulët në kujdesin shëndetësor, ashtu si edhe tre qytete të tjera kanadeze, për shkak të “presionit” mbi sistemin shëndetësor të vendit.
Toronto gjithashtu ra në renditje, nga vendi i 12-të në të 16-in.
“Arsyeja është thjesht reflektimi i listave të gjata të pritjes për kontrolle mjekësore,” i tha Bhattacharyya CNN Travel. “Ka pasur mungesë stafi në qendrat dhe spitalet shëndetësore.”
Ajo thekson se edhe pjesë të tjera të botës po përjetojnë presione mbi sistemet shëndetësore dhe infrastrukturën e banimit, por Kanadaja “u veçua” për shkak të ndikimit të zgjatur të këtyre faktorëve.
“Për të vënë gjithçka në kontekst, ato mbeten disa nga qytetet më të banueshme në botë,” shtoi ajo.
Honolulu, Hawaii ishte qyteti më i lartë në SHBA në këtë listë, duke u renditur në vendin e 23-të.
“Ne kemi parë një tendencë ku qytetet më të vogla ose mesatare në SHBA dalin më mirë sesa qytetet shumë të mëdha si New York apo Los Angeles,” shpjegon Bhattacharyya. “Kjo lidhet kryesisht me ngarkesën mbi infrastrukturën e shërbimeve publike.”
Ndërkohë, qytetet britanike si Londra, Mançesteri dhe Edinburgu ranë gjithashtu në renditje pas pikëve më të ulëta në kategorinë e stabilitetit.
Kjo ndodhi pas një periudhe trazirash dhe pasigurie në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, të nxitura nga një fushatë dezinformuese anti-emigracion pas një sulmi me thikë në Southport, në veriun e Anglisë.
Këtë vit Londra ra nga vendi i 45-të në të 54-in, Mançesteri nga i 43-ti në të 52-in dhe Edinburgu nga i 59-ti në të 64-in.
Rënie e stabilitetit
“Ashtu si në 2024, pikët për stabilitetin kanë rënë në Evropën Perëndimore dhe në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut,” shton Bhattacharyya.
“Në këtë edicion, ato kanë rënë gjithashtu edhe për Azinë, për shkak të kërcënimeve të intensifikuara për konflikte ushtarake në qytete të Indisë dhe Tajvanit.”
Ndërkohë që disa destinacione ranë në renditje, të tjera patën përmirësime të ndjeshme, me qytetin Al Khobar në Arabinë Saudite që u ngjit me 13 vende – nga vendi i 148-të në të 135-in.
Mbretëria ka investuar ndjeshëm për të përmirësuar aksesin në kujdes shëndetësor dhe arsim në kuadër të programit Vision 2030, një plan i gjerë për të diversifikuar ekonominë dhe për të reduktuar varësinë nga nafta.
Xhakarta e Indonezisë gjithashtu u ngjit në listë, duke u rritur me 10 vende – nga vendi i 142-të në të 132-in, falë përmirësimit në pikët për stabilitetin.
Siç pritej, pjesa fundore e listës nuk ka ndryshuar shumë që nga viti i kaluar, me Damaskun në Siri që mbetet qyteti më pak i banueshëm në botë, gjashtë muaj pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad. Tripoli i Libisë u rendit menjëherë mbi të.
Kryeqyteti i Bangladeshit, Dhaka, ishte i treti nga fundi, ndërsa Karachi i Pakistanit dhe Algjeri i Algjerisë u renditën si qytetet e katërta dhe të pesta më pak të banueshme.
Ndërsa në vitin 2024, banueshmëria globale u rrit “pakësisht”, kjo nuk ndodhi këtë vit.
“Kjo për shkak të rënieve në stabilitet,” shpjegon Bhattacharyya. “Sepse kemi parë përmirësime në kategori si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, të udhëhequra kryesisht nga qytete në Lindjen e Mesme. Por këto përmirësime janë kompensuar nga rëniet në stabilitet.”/ Përshtati nga CNN, ekofin.al
Indeksi i Banueshmërisë Globale për vitin 2025: Top 10 qytetet
• Kopenhagë, Danimarkë
• Vjenë, Austri
• Zyrih, Zvicër
• Melburn, Australi
• Gjenevë, Zvicër
• Sidnei, Australi
• Osaka, Japoni
• Auckland, Zelandë e Re
• Adelaidë, Australi
• Vankuver, Kanada

