Nga data 15 Qershor 2025, por efektivisht nga dita e hënë, datë 16 qershor, të gjitha regjistrimet e vendimeve apo akteve të gjykatës, përmbaruesve ose autoriteteve publike, që kanë të bëjnë me të dhënat e regjistruara ose me veprimtarinë e subjektit tregtar do të bëhen vetëm online, përmes platformës e-Albania.
Qendra Kombëtare e Regjistrimit ka njoftuar 3 shërbime të cilat do t’u ofrohen: zyrave përmbarimore (Persona fizikë/Juridikë), autoriteteve zyrtare (enteve publike), si dhe individëve (administratorët e subjekteve).
Thjeshtimi i procedurave të depozitimit online të vendimeve apo akteve të gjykatës, zyrave përmbarimore ose autoriteteve të tjera, sjell reduktimin e kohës të zbatimit të këtyre akteve, duke kryer regjistrimin në kohë të vendimit/akteve të gjykatës/urdhrit për vendosjen e masës së sekuestros.
Për të ndihmuar këtë transformim digjital, QKB ka realizuar edhe një trajnim me zyrat përmbarimore, ku përmbaruesit u njohën me shërbimin online në e-albania, duke shmangur dorëzimin fizik të dokumenteve në institucion.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt thjeshtimit të procedurave dhe rritjes së efikasitet administrativ, njofton QKB. Gjithashtu, ky hap pritet të ketë një ndikim pozitiv për mjedisin, duke reduktuar sadopak sasinë e letrave të printuara.
