Qeveria ka miratuar rregulla të reja për markimin, identifikimin dhe gjurmimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, duke vendosur një sistem kontrolli që do të mbulojë të gjithë ciklin e tyre, nga prodhimi dhe magazinimi deri te transporti, përdorimi dhe asgjësimi.
Vendimi synon të parandalojë përdorimin e paautorizuar ose të paligjshëm të produkteve ushtarake, të verifikojë origjinën dhe pronësinë e tyre, si dhe t’u mundësojë institucioneve ligjzbatuese gjurmimin e çdo njësie ose loti prodhimi.
Sipas rregullave të reja, çdo armë, municion, pajisje ose teknologji ushtarake duhet të pajiset me një numër serial dhe një kod unik identifikues. Markimi mund të kryhet përmes gdhendjes mekanike, gravurës me lazer, stampimit, barkodeve, kodeve QR, teknologjisë Data Matrix ose mikroçipave RFID dhe NFC.
Kodi unik alfanumerik duhet të ketë të paktën 12 karaktere, ndërsa etiketa ose pulla duhet të përmbajë datën dhe vendin e prodhimit, të dhënat e prodhuesit dhe simbolin ose logon e prodhuesit të certifikuar. Markimi duhet të jetë i përhershëm, i lexueshëm dhe rezistent ndaj konsumimit, lagështisë, ndryshimeve të temperaturës, ndërhyrjeve dhe falsifikimit.
Çdo produkt do të regjistrohet në një regjistër elektronik të administruar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Regjistri do të përmbajë të dhëna për prodhuesin, numrin serial, vendin dhe datën e prodhimit, klasifikimin ushtarak, llojin, kalibrin dhe lotin e prodhimit.
Sistemi do të regjistrojë automatikisht çdo transaksion, transferim, ndryshim pronësie, riparim, ndryshim statusi ose asgjësim. Ai do të mundësojë gjithashtu hartimin e raporteve për sasitë, itineraret, përdorimin dhe ngjarjet kritike, si dhe do të sinjalizojë devijimet nga rrugët e autorizuara, manipulimet dhe shkeljet e procedurave të sigurisë.
Edhe kompanitë e licencuara do të detyrohen të krijojnë platformat e tyre të brendshme elektronike, të lidhura me regjistrin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes. Këto subjekte do të jenë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe auditimin e sistemeve, saktësinë e të dhënave dhe lejimin e aksesit për inspektime dhe kontrolle.
Të dhënat për markimin dhe gjurmimin duhet të ruhen për jo më pak se 10 vjet nga data e regjistrimit. Subjektet duhet të mbajnë edhe kopje rezervë dhe të raportojnë menjëherë çdo ndryshim ose pasaktësi në informacionin e depozituar.
Për prodhuesit, markimi duhet të kryhet përpara se produkti të dalë nga mjedisi i prodhimit. Importuesit do të lejohen të sjellin vetëm produkte të markuara sipas kërkesave shqiptare ose standardeve ndërkombëtare. Kur produktet e importuara nuk i plotësojnë këto kushte, markimi duhet të plotësohet përpara tregtimit ose përdorimit.
Rregulla të veçanta parashikohen edhe për municionet. Etiketimi do të kryhet në paketimin e jashtëm dhe, kur kërkohet, edhe në nivelin e fishekut individual. Paketimi duhet të përmbajë prodhuesin, llojin dhe kalibrin, lotin dhe datën e prodhimit, kodin unik të gjurmimit, si dhe të dhëna për lëndën shtytëse dhe lëndën plasëse.
Për municione të caktuara do të përdoret kodimi me ngjyra për dallimin e llojeve, ndërsa mund të aplikohet edhe mikrokodimi, përmes gdhendjes së kodeve mikroskopike në kapsollë ose në trupin e fishekut.
Produktet e destinuara për eksport duhet të regjistrohen përpara se të dalin nga territori shqiptar. Regjistrimi duhet të përmbajë të dhënat e transportit, subjektin eksportues, marrësin dhe destinacionin përfundimtar. Çdo ngarkesë duhet të shoqërohet me certifikatën e origjinës, deklaratën e transportit dhe etiketat e sigurisë sipas standardeve të NATO-s.
Vendimi përfshin gjithashtu edhe uniformat ushtarake. Çdo lot uniformash do të pajiset me kod unik identifikues dhe do të regjistrohet në sistemin elektronik, ndërsa etiketa duhet të përmbajë prodhuesin, datën dhe vendin e prodhimit. /ekofin.al

