Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hedhur për diskutim publik projektligjin “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-koorperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”.
Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, për institucionet e sipërpërmendura evidentoi problematika të konsiderueshme, si: mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, etj, duke bërë që shumë individë t’u drejtoheshin gjykatave për zgjidhjen e problemit, thuhet në relacion.
Por, duke marrë në konsideratë që përgjithësisht, periudhat e vjetërsisë në punë me problematika, për pensione të caktuara në vite, janë njohur me vendime gjyqësore të formës së prerë dhe për rrjedhojë ky projektligj nuk ka efekt në masën e tyre (pensioneve).
Projektligji u jep zgjidhje kategorisë që janë ende pa një pension, sepse nuk kanë arritur të plotësojnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit dhe që mund të jenë në shqyrtim administrativ apo gjyqësor dhe patjetër edhe kategorisë që u lind e drejta për pension nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji e në vijim.
Për të punësuarit në ish-ndërmarrjet shtetërore do të njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni, koha e punësimit nga mosha 18 vjeç/data e përfundimit të shkollës së lartë deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, me kusht që kërkuesi të ketë pasur vendbanimin në qytet dhe nuk ka vuajtur dënimin me heqje lirie.
Për të punësuarit në ish kooperativat bujqësore do të njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni nga mosha 18 vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me kusht që kërkuesi të ketë pasur vendbanimin në fshat dhe nuk ka vuajtur dënimin me heqje lirie.
Konkretisht, në aspektin financiar nëse të drejtat e përfitimit nga ky ligj do të shtrihen me efekt nga hyrja në fuqi, kostoja financiare ka efekte më të ulëta.
Vitet e munguara në llogaritje me një vjetërsi të plotë prej 38 vitesh me një pension mesatar 20,000 lekë rezulton një kosto vjetore e shtuar për 2,021 pensione, në vlerën rreth 40 milion lekë në vitin e parë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë.
Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë.
Me anë të këtij projektligji synohet rritjen e mirëqenies së pensionistëve nëpërmjet përfitimit të pensioneve më të larta, njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, eleminimin e shpenzimeve gjyqësore për përfituesit dhe shmangien e proceseve gjyqësore dhe ankimimeve në komisonet rajonale dhe qendrore të ISSH-së si dhe përfitimin e një pensioni, të paktën sa pensioni social./ekofin.al
