Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përmes një urdhri ka miratuar Programin Kombëtar për Nxitjen dhe Lehtësimin e Eksporteve 2026–2030, një dokument strategjik afatmesëm që synon rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Programi synon zgjerimin e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, uljen e barrierave administrative, përmirësimin e aksesit në financë për bizneset eksportuese dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, duke përcaktuar objektiva të matshëm deri në vitin 2030 dhe mekanizma monitorimi.
Zgjerimi i aksesit në tregje dhe promovimi i produkteve shqiptare
Një nga shtyllat kryesore të programit është rritja e aksesit të produkteve dhe shërbimeve shqiptare në tregjet e huaja përmes promovimit aktiv dhe diversifikimit gjeografik të eksporteve. Objektivi është rritja e vlerës totale të eksporteve, hyrja në tregje të reja dhe forcimi i identitetit të markës shqiptare në nivel ndërkombëtar. Programi synon që eksportet e mallrave të rriten mesatarisht me 7% në vit, ndërsa eksportet e shërbimeve me 10% në vit gjatë periudhës 2026–2030.
Në të njëjtën kohë, parashikohet që çdo vit produktet shqiptare të hyjnë të paktën në tre tregje të reja, duke zgjeruar praninë e tyre përtej tregjeve tradicionale. Një element i rëndësishëm i kësaj qasjeje është rritja e pjesëmarrjes së kompanive shqiptare në panaire, misione tregtare dhe platforma ndërkombëtare, si dhe regjistrimi i markave “Made in Albania” jashtë vendit. Objektivi i vendosur është që deri në vitin 2030 të regjistrohen ndërkombëtarisht 50 marka të reja shqiptare, duke kontribuar në rritjen e vlerës së shtuar dhe njohjes së origjinës së produkteve shqiptare.
Monitorimi i këtij komponenti do të realizohet nga Ministria përgjegjëse për ekonominë, AIDA, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhomat e tregtisë dhe shoqatat e eksportuesve.
Lehtësimi i barrierave tregtare dhe administrative
Programi 2026–2030 vendos theks të veçantë në reduktimin e barrierave administrative dhe procedurale që pengojnë eksportet. Qëllimi kryesor është krijimi i një mjedisi më efikas dhe më pak të kushtueshëm për bizneset eksportuese, në përputhje me standardet e CEFTA-s dhe Organizatës Botërore të Tregtisë.
Në këtë kuadër, synohet që deri në vitin 2030 koha mesatare për zhdoganimin e mallrave të ulet me 20%, ndërsa kostot administrative për eksportuesit të reduktohen me 15%. Një objektiv tjetër kyç është zbatimi i plotë i të gjitha masave për lehtësimin e tregtisë, duke arritur nivelin 100% të implementimit të masave të dakorduara në kuadër të CEFTA-s dhe OBT-së.
Rritja e mbështetjes financiare për eksportuesit
Një tjetër komponent thelbësor i programit është forcimi i mbështetjes financiare për bizneset eksportuese, me fokus të veçantë te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Programi synon të rrisë ndjeshëm numrin e kompanive që përfitojnë nga skemat e granteve, garancive dhe kredive të buta për eksport.
Deri në vitin 2030, parashikohet që mbi 500 kompani të mbështeten financiarisht për aktivitetet e tyre eksportuese, ndërsa fondet totale të dedikuara për mbështetjen e eksporteve të arrijnë në 50 milionë euro. Në të njëjtën kohë, synohet një rritje prej 25% e kredive për eksport, duke përmirësuar likuiditetin dhe kapacitetin investues të bizneseve eksportuese. Programi vlerëson gjithashtu perceptimin e biznesit, duke vendosur si objektiv që 70% e bizneseve të raportojnë akses të përmirësuar në financë.
Fuqizimi i kapaciteteve dhe koordinimi ndërinstitucional
Shtylla e katërt e programit lidhet me ndërtimin e kapaciteteve njerëzore, digjitalizimin dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në fushën e eksporteve. Programi synon që deri në vitin 2030 të trajnohen mbi 300 zyrtarë publikë në institucionet kryesore si Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe AIDA, si dhe 1,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme për gatishmëri eksporti dhe përmbushje të standardeve ndërkombëtare.
Një element kyç është krijimi i një platforme digjitale kombëtare për eksportet, e cila pritet të jetë funksionale deri në vitin 2026 dhe të shërbejë si një pikë e vetme informacioni dhe shërbimi për bizneset eksportuese. Po ashtu, programi synon përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, me objektivin që ky bashkëpunim të vlerësohet pozitivisht në nivelin 80%, bazuar në vlerësime të pavarura nga palë të treta.
Duke kombinuar promovimin në tregje të reja, lehtësimin e procedurave, mbështetjen financiare dhe ndërtimin e kapaciteteve, programi synon të rrisë rolin e Shqipërisë në zinxhirët rajonalë dhe ndërkombëtarë të vlerës, duke e kthyer eksportin në një motor të rëndësishëm të rritjes ekonomike në vitet në vijim. /ekofin.al
