Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr. 323, datë 11.06.2025, i cili standardizon modelet e autorizimeve dhe procedurat e kontrollit shtetëror ndaj tregtimit të mallrave që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose trajtime mizore, çnjerëzore apo poshtërues. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të tregut të mallrave sensitive dhe vendos korniza të reja ligjore dhe teknike për subjektet ekonomike që operojnë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Vendimi ka miratuar tri lloje autorizimesh me afate të ndryshme vlefshmërie. Më konkretisht, formatet e autorizimeve individuale, të përgjithshme dhe globale, të cilat mund të lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) brenda afateve nga 1 deri në 3 vjet, sipas natyrës së aktivitetit: import, eksport, tranzit, ndihmë teknike apo veprimtari ndërmjetësuese.
Autorizimi i përgjithshëm miratohet pas konsultimit me grupet e interesit (operatorët ekonomikë në transferimin e mallrave që mund të përdoren për qëllime torture apo ndëshkime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese), si dhe me disa prej institucioneve sipas ligjit nr. 27/2023.
Kjo nënkupton se pas marrjes së kërkesës për lëshimin e një autorizimi, Autoriteti për Kontrollin Shtetëror të Eksporteve ua përcjell kërkesën organeve të administratës shtetërore, përgjegjëse për punët e jashtme dhe të brendshme, si dhe organeve të tjera përgjegjëse për fushën e mallrave ose shërbimeve.
Aplikimi për çdo autorizim do të ketë tarifë 3,000 lekë dhe do të realizohet ekskluzivisht nëpërmjet platformës e-Albania. Vendimi thekson qartë afatet e shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit nga ana e AKSHE-s, duke i dhënë institucioneve afat 20 ditë pune për marrjen e vendimeve dhe 5 ditë afat operatorëve ekonomikë për plotësimin e mangësive, nëse ka.
AKSHE do të bashkëpunojë ngushtë me institucione të tjera të sigurisë, drejtësisë dhe doganave, si dhe me grupet e interesit, për të garantuar integritetin e procesit dhe parandalimin e abuzimeve. Të gjitha vendimet njoftohen zyrtarisht nëpërmjet e-Albania, duke rritur transparencën dhe ulur kontaktet direkte.
Vendimi synon të kontrollojë me rigorozitet tregtimin e produkteve të ndjeshme që mund të keqpërdoren nga subjekte të ndryshëm. Modelet e autorizimeve mbulojnë mallra pa përdorim civil alternativ, duke siguruar që asnjë eksport ose import të tillë të mos kryhet pa miratim dhe monitorim të plotë nga shteti.
Operatorët ekonomikë do të kenë të drejtën e ankimit sipas Kodit të Procedurave Administrative, ndërsa AKSHE ka detyrim ligjor për ruajtjen e konfidencialitetit dhe të dhënave tregtare sensitive.
Ky akt pritet të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e transparencës të tregtimit të mallrave të ndjeshme, si dhe duke harmonizuar rregulloren shqiptare me standardet evropiane dhe parashikimet e Konventës Evropiane kundër Torturës./ekofin.al

