Qeveria shqiptare po përgatitet për rritjen e normave të interesit në tregjet e huaja dhe në tregun e brendshëm, çka ndikon direkt në nivelin e borxhit publik.
Në këto kushte, kur e ardhmja paraqitet plot me të panjohura të diktuara nga kriza e çmimeve e konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë, ministria e Financave ka hedhur për diskutim strategjinë e re afatmesme të menaxhimit të borxhit.
Në strategjinë e re, qeveria shqiptare paralajmëron se vec tregut vendas dhe atij ndërkombëtar, një opsion për të siguruar financimet e kërkuara në vijim, mbetet edhe përdorimi i disa instrumenteve jo tradicionale siç mund të jenë ‘Green Bonds’ apo ‘Social Bonds’.
‘Green Bonds” janë instrumenta ku të ardhurat përdoren ekskluzivisht për të financuar projekte të reja ose ekzistuese me përfitime mjedisore ndërsa ‘Social bonds’ janë instrumenta ku të ardhurat përdoren për të financuar projekte të reja ose ekzistuese me përfitime sociale.
Qeveria ka planifikuar disa strategji për huamarrjen, në varësi të ecurisë së tregjeve financiare botërore.
Skenari i parë parashikon një strategji huamarrje si aktualisht! Nevojat totale për financim plotësohen kryesisht duke përdorur burimet e brendshme të financimit në masën 85 % dhe 15 % burimet e huaja.
Skenari i dytë paarashikon më shumë borxh të brendshëm dhe 1 emetim Eurobondi. Sipas këtij skenari, nevoja për financim përqendrohet më shumë në tregun e brendshëm, nëse në tregjet e jashtme shfaqen kufizime për të dhënë borxh.
Skenari i tretë parashikon plotësimin e nevojës së huamarrjes së brendshme në pjesën më të madhe në tregun vendas (58 %), por jo me bono e obligacine afatshkurtëra, por afatgjata. Po ashtu, për huamarrjen e jashtme parashikohen 2-3 emetime Eurobondi si dhe opsioni i huasë në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Skenari 4 dhe i fundit, projekton opsioinin që qeveria shqiptare të rrisë më shumë huamarrjen në tregjet e jashtme sesa në ato të brendshme, nëse këto të fundit kanë vështirësi. Ky skenar, parashikon emetim të përvitshëm të Eurobondit.