Qeveria ka miratuar tri vendime radhazi që njohin disa zona në bashkitë Mat, Shijak dhe Shkodër si “zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, pjesë e zbatimit të ligjit të ri nr.20/2025 “Për paketën e maleve”. Vendimet synojnë të hapin rrugën për investime ekonomike, industriale dhe turistike në zona me potencial të lartë natyror dhe kulturor, por të pazhvilluara mjaftueshëm.
Në Bashkinë Mat shpallen tre zona të rëndësishme malore në njësinë administrative Komsi:
Zona nr.1 – Liqenet e Gërmanit, me sipërfaqe 2 051 282 m²
Zona nr.2 – Ish-Vila e Zogut, me sipërfaqe 1 585 237 m²
Zona nr.3 – Kurora e fshatit Selixë, me sipërfaqe 2 564 391 m²
Të tre zonat janë regjistruar në hartat KRGJSH dhe konsiderohen potenciale për zhvillim turistik e rural.
Shijak: 20 zona të reja përreth rezervuarëve në Maminas e Gjepalaj
Vendimi për Shijakun përfshin një shtrirje të gjerë prej 20 zonash zhvillimore, të gjitha të pozicionuara rreth rezervuarëve të zonave Maminas, Karrec, Karpen, Metallë, Shetël, Likesh, Çizmeli, Kënetë dhe Gjepalaj.
Sipërfaqet variojnë nga 3.88 ha deri në 169.56 ha, duke krijuar një hartë të detajuar për zhvillime turistike, industriale dhe ekonomike që lidhen me potencialin ujore, bujqësor dhe agro-turistik të zonës.
Shkodër: Thethi, Nderlysaj dhe fshatrat e Gurit të Zi në fokus
Në Bashkinë Shkodër janë shpallur pesë zona me rëndësi të lartë mjedisore dhe turistike:
Theth – 2286.3 ha
Ndërlysaj – 425.9 ha
Rragam – 474.5 ha
Sheldi – 388 ha
Mazrek–Shpor – 845.8 ha
Këto zona, tashmë të njohura për turizmin alpino-rural, marrin status zyrtar që u mundëson orientim më të qartë investimesh dhe mbështetjeje infrastrukturore.
Në të tria bashkitë, statusi i ri lejon zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, industrial dhe turistike, në një sipërfaqe totale prej qindra hektarësh që tashmë janë të përcaktuara me koordinata KRGJSH dhe të lidhura me hartat përkatëse.
Për zbatimin e vendimeve, ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë respective, ndwrsa vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

