Pas një mbledhjeje intensive të Këshillit të Ministrave ditën e enjte, ku u miratuan 45 vendime dhe iu përcollën Kuvendit katër projektligje për shqyrtim dhe miratim, qeveria ka hyrë zyrtarisht në periudhën e pushimeve verore. Por, sipas udhëzimeve të Kryeministrit, ministrat dhe zyrtarët e lartë të ekzekutivit nuk do të largohen nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe.
Pushimet vijnë pas një sezoni të ngarkuar pune dhe në prag të një faze të re për qeverisjen që nis mandatin e katërt. Nga java e tretë e gushtit dhe në vijim, deri në fund të muajit, pritet të zyrtarizohen ndryshimet në kabinetin qeveritar. Burime të afërta me procesin bëjnë me dije se nuk do të bëhet fjalë vetëm për rotacion emrash, por edhe për një strukturë të re organizative të qeverisë.
Në fokus të ndryshimeve pritet të jetë rritja e efikasitetit institucional dhe përshtatja me prioritetet e reja strategjike për mandatin e mbetur. Riorganizimi mund të prekë disa ministri ekzistuese, të cilat mund të bashkohen, ndahen ose të ndryshojnë profilin e tyre funksional, në varësi të objektivave të reja politike dhe sfidave të parashikuara për periudhën e ardhshme.
Megjithëse në pushim, qeveria mbetet në gatishmëri për çdo zhvillim të brendshëm apo rajonal që mund të kërkojë reagim institucional. Në këtë kuadër, është përcaktuar që asnjë nga ministrat të mos udhëtojë jashtë vendit, për të garantuar që çdo detyrim apo emergjencë të mund të trajtohet në kohë reale.
Shtatori pritet të hapë një kapitull të ri për ekzekutivin shqiptar, me synimin për të dhënë një impuls të ri drejt përmbushjes së reformave të nisura dhe përballjes me sfidat ekonomike e sociale të vendit. /ekofin.al
