Në tre vitet e ardhshme, Qeveria ka planifikuar të rrisë me rreth 21% fondin për kompensimin e pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit të diktaturës. Megjithatë, deri tani nuk është përcaktuar një skemë e qartë për mënyrën e ndarjes së këtyre fondeve dhe afati ligjor për përmbylljen e procesit po afron.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, për vitin e ardhshëm është parashikuar të ndahen rreth 4.9 miliardë lekë (rreth 49 milionë dollarë) për pronarët e shpronësuar, që përfaqëson një rritje prej 11% krahasuar me këtë vit. Për vitin 2026, fondi i planifikuar pritet të arrijë në 5.3 miliardë lekë dhe e njëjta shumë është e parashikuar edhe për vitin 2027, duke shënuar kështu një rritje të përgjithshme prej 21%.
Megjithatë, këto shifra janë më të ulëta se ato të parashikuara në ligjin e reformuar të vitit 2016, i cili kishte për qëllim një rritje të vazhdueshme të fondit që deri tani nuk është realizuar. Sipas këtij ligji, për vitin e ardhshëm duhej të ishin transferuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave 6.88 miliardë lekë (rreth 68 milionë dollarë), por fondi aktualisht i parashikuar është vetëm 4.9 miliardë lekë, duke përfshirë edhe kompensimin për pronarët që janë shpronësuar në procesin e legalizimit.
Edhe pas 8 vitesh nga reforma e vitit 2016, vetëm një numër i vogël i dosjeve janë trajtuar, kryesisht për shkak të problemeve me skemën e re dhe vështirësive në mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm. Procedurat aktuale kërkojnë që pronarët të paraqesin një mori dokumentesh, përfshirë konfirmimin nga Kadastra mbi gjendjen juridike të pronës, dëshmi trashëgimie, prokurë dhe dokument identifikimi. Për të verifikuar nëse një vendim është ankimuar në gjykatë, është e mjaftueshme një deklaratë noteriale.
Në fund të këtij viti përfundon edhe afati për shqyrtimin e dosjeve pa vendim. Pas rihapjes së afatit në vitin 2022, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte premtuar se do të rishqyrtonte më shumë se 7 mijë dosje të patrajtuara. Megjithatë, pas më shumë se një viti e gjysmë, nuk ka ende vendimmarrje nga agjencia për këto aplikime, duke detyruar shumë familje të kërkojnë drejtësi nëpërmjet gjykatës.
