Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton kriteret dhe masën e kompensimit për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur emërohen ose komandohen në detyrë jashtë vendbanimit të tyre.
Vendimi synon të rregullojë trajtimin financiar të ushtarakëve aktivë në rastet kur nuk u sigurohet transport, strehim apo kompensim për qira banese nga Ministria e Mbrojtjes. Në këto kushte, ushtarakët do të përfitojnë kompensim mujor për transport, i cili varion në bazë të distancës nga vendbanimi.
Sipas skemës së miratuar, për distanca nga 5 deri në 25 kilometra kompensimi do të jetë 4 400 lekë në muaj, për 26–50 kilometra 8 800 lekë, për 51–100 kilometra 13 200 lekë, ndërsa për distanca mbi 101 kilometra masa arrin në 20 000 lekë në muaj.
Pagesa ndërpritet në rast se ushtaraku emërohet sërish në vendbanimin e tij, përfundon periudha e komandimit ose sigurohet me banesë në zonën ku ndodhet vendi i shërbimit. Për të përfituar kompensimin, ushtaraku duhet të paraqesë kërkesë me shkrim, dokument identifikimi dhe vërtetim për gjendjen e pronësisë së banesës në zonën ku është emëruar.
Strukturat ushtarake do të shqyrtojnë dokumentacionin brenda 5 ditëve pune dhe, pas verifikimit, do ta përcjellin për pagesë pranë njësisë përkatëse financiare. Dokumentacioni duhet të rinovohet çdo vit për të vijuar përfitimin.
Vendimi parashikon gjithashtu që ushtarakët që transferojnë familjen në vendin e ri të shërbimit të përfitojnë transport falas për familjen dhe sendet e shtëpisë me mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i mëparshëm nr.435, datë 25.6.2004, ndërsa efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Zbatimi i tij i ngarkohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. /ekofin.al

