Qeveria ka miratuar rregulla të reja për funksionimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private (PPP), duke zgjeruar nga 9 në 19 kategoritë e të dhënave parësore që duhet të përmbajë sistemi dhe duke vendosur afate të përcaktuara për verifikimin dhe publikimin e dokumentacionit. Ndryshimet synojnë të ofrojnë informacion më të plotë mbi procedurat e dhënies së koncesioneve, kushtet financiare dhe zbatimin e kontratave.
Vendimi i ri zëvendëson atë të 16 marsit 2016, mbi bazën e të cilit u krijua regjistri ekzistues. Ndryshe nga rregullat e mëparshme, që përqendroheshin kryesisht te informacioni bazë i kontratave, kuadri i ri parashikon përfshirjen edhe të dokumenteve që lidhen me përgatitjen, vlerësimin dhe monitorimin e projekteve koncesionare.
Vendimi i ri zgjeron dokumentacionin që duhet të regjistrohet dhe, brenda kufizimeve ligjore, të bëhet publik.
Në vendimin e vitit 2016, regjistri përfshinte të dhëna mbi autoritetin kontraktues, objektin, llojin dhe kohëzgjatjen e kontratës, vlerën e saj, çmimin e shërbimit publik, tarifën koncesionare dhe tekstin e kontratës.
Me rregullat e vitit 2026, kësaj liste i shtohen shprehimisht studimet e fizibilitetit, dokumentacioni i tenderit, garancitë e ekzekutimit, të dhënat për nënkontraktimet, transferimet e kontratave dhe dokumentacioni mbi të drejtat pronësore që lidhen me zbatimin e tyre. Në regjistër do të përfshihen gjithashtu raportet vjetore dhe përfundimtare të zbatimit, si dhe dokumentacioni për ndryshimet e kontratave.
Kjo do të thotë se informacioni nuk do të kufizohet vetëm te kushtet e kontratës së nënshkruar, por do të shtrihet edhe te dokumentet mbi të cilat është mbështetur miratimi i projektit dhe te raportimi për zbatimin e tij.
Po kështu, vendimi parashikon regjistrimin e vlerës së investimit veçmas nga vlera e kontratës, duke mundësuar dallimin mes dy treguesve financiarë.
Megjithatë, vendimi parashikon se publikimi i kontratave dhe studimeve të fizibilitetit do të bëhet vetëm për pjesët që lejohen nga legjislacioni. Informacionet që klasifikohen si konfidenciale ose për të cilat ekzistojnë kufizime ligjore nuk do të publikohen.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën e administrimit të kontratave ekzistuese. Sipas vendimit të vitit 2016, institucionet kontraktuese kishin detyrimin të dorëzonin brenda 30 ditëve kopje të të gjitha kontratave të lidhura përpara hyrjes në fuqi të tij.
Rregullat e reja parashikojnë transferimin dhe integrimin e të dhënave ekzistuese në regjistrin e ri, pa kërkuar ridorëzimin e dokumentacionit që disponohet tashmë. Nëse gjatë verifikimit konstatohen mungesa, institucioneve u jepet një afat prej 30 ditësh pune nga marrja e kërkesës për plotësimin ose përditësimin e informacionit.
Vendimi përcakton shprehimisht edhe përgjegjësinë e autoriteteve kontraktuese për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin në kohë të të dhënave që dorëzojnë.
Ndryshim ka edhe në ndarjen e përgjegjësive institucionale. Sipas rregullave të vitit 2016, kostot e krijimit, mirëmbajtjes dhe administrimit të regjistrit përballoheshin nga buxheti i ATRAKO-s.
Me vendimin e ri, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) merr përgjegjësinë për zhvillimin, mirëmbajtjen teknike dhe sigurinë e regjistrit, ndërsa Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe PPP-ve vijon të jetë institucioni përgjegjës për administrimin funksional. /ekofin.al
