Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë transferimit të disa pronave shtetërore në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për realizimin e projektit strategjik “Korpusi i Sigurisë”.
Në bazë të vendimit, pronat e përcaktuara në shtojcat përkatëse kalojnë në pronësi të Korporatës, e cila autorizohet të veprojë si zhvilluese e tyre, vetë ose përmes entiteteve të krijuara posaçërisht për këtë qëllim. KISH merr detyrën të udhëheqë procesin e zhvillimit, të hartojë projektet e investimit dhe të koordinojë punën me institucionet e tjera shtetërore që aktualisht përdorin ose administrojnë këto prona.
Vendimi parashikon gjithashtu që, brenda tridhjetë ditësh nga hyrja në fuqi, Korporata dhe institucionet publike përfituese të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, ku do të përcaktohen standardet, metodologjia, termat dhe kushtet për realizimin e projekteve, në mënyrë që të garantohet balanca midis interesit publik dhe atij ekonomik. Në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes ligjore dhe asaj faktike të pronave, KISH ngarkohet të kryejë procesin e konsolidimit të pronësisë, për të siguruar një bazë të qartë dhe të unifikuar për zhvillimin.
Një pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me përfshirjen e partnerëve privatë, përmes një procedure konkurruese që do të drejtohet nga Korporata në zbatim të rregullave të miratuara nga qeveria. Për zhvillimin e projekteve, KISH mund të negociojë drejtpërdrejt me subjekte private për lidhjen e kontratave përkatëse, ndërsa Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) do ta asistojë në hartimin e termave të referencës dhe kritereve të vlerësimit për projektet arkitekturore.
Vendimi parashikon edhe ruajtjen e funksionimit të institucioneve që aktualisht ndodhen në këto prona. Këto institucione do të vazhdojnë aktivitetin e tyre deri në ndërtimin dhe dorëzimin e ambienteve të reja, ndërkohë që Korporata, në bashkëpunim me autoritetet publike apo partnerët privatë, do të sigurojë hapësira të përkohshme për vijimin e punës. Për të mundësuar zhvillimin e projekteve, KISH është gjithashtu e autorizuar të kryejë prishjen e objekteve ekzistuese, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Në këtë proces, Korporata do të bashkëpunojë ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe me institucionet e tjera përgjegjëse për regjistrimin e pronave dhe për realizimin e investimeve. Ndërkohë, pronat që i kalojnë në pronësi KISH hiqen nga listat ekzistuese të inventarit të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të saj vartëse, si Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Akademia e Sigurisë.
Në zbatim të këtij vendimi, ngarkohen për veprime konkrete një sërë institucionesh publike, përfshirë Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, AKPT-në, Agjencinë e Kadastrës dhe vetë Korporatën e Investimeve Shqiptare./ekofin.al

