Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat për 300 kredi të buta për strehimin e punonjësve të administratës publike.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se Qeveria vijon të zbatojë çdo vit politika mbështetëse për strehimin e kategorive të veçanta të administratës publike.
“Çdo vit kemi aplikuar politika për strehimin e disa kategorive të punonjësve dhe sot miratuam kuotat për 300 kredi të buta, të cilat do të jepen me normë interesi zero për kategori të caktuara të administratës publike”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, ato janë ndarë në 70 kuota për punonjësit e Policisë së Shtetit; 20 kuota për punonjësit e Policisë së Burgjeve; 70 kuota për mësuesit; 70 kuota për mjekët dhe infermierët dhe 70 kuota për ushtarakët.
“Në total do të jepen 300 kredi të buta, ndërsa normat e interesit do të subvencionohen plotësisht nga buxheti i shtetit, duke bërë që përfituesit të marrin kredi me interes 0%”, tha Ibrahimaj.
Më herët, ekofin.al raportoi se vendimi synon të mbështesë nëpunësit civilë dhe punonjësit e institucioneve publike që nuk disponojnë banesë ose ndodhen në kushte të vështira strehimi, duke u krijuar mundësinë të blejnë një banesë përmes një kredie pa kosto interesi.
Projektvendimi ka pësuar disa ndryshime dhe është diskutuar gjerësisht, por së fundmi janë propozuar kuota vetëm për 4 ministri.
Relacioni shpjegues argumenton se kjo shpërndarje është bërë mbi bazën e numrit të aplikimeve të regjistruara ndër vite.
Përzgjedhja e përfituesve, ashtu si edhe vitet e tjera, do të jetë përmes një sistemi pikëzimi. Prioritet do të kenë punonjësit që nuk zotërojnë banesë në pronësi, ata që jetojnë në banesa të mbipopulluara, familjet që kanë humbur banesën për shkak të vendimeve gjyqësore ose investimeve publike, si edhe kategori të caktuara sociale dhe familjare. Në vlerësim do të peshojnë gjithashtu vjetërsia në administratë dhe niveli i pagës, ndërsa për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes janë parashikuar kritere specifike, të përshtatura me karakteristikat e personelit të tyre. /ekofin.al

