Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se qeveria ka miratuar bonusin më të madh të dhënë ndonjëherë për pensionistët. Pas mbledhjes së qeverisë, Gonxhja tha për mediet se, “qeveria miraton bonusin e fundvitit, më i madhi ndonjëherë për 724 933 pensionistët”.
Sipas tij, 511 173 pensionistë me pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin këtë fundviti bonusin prej 15 mijë lekësh dhe 213 760 pensionistë që janë me pensione mbi 20 mijë lekë, përfitojnë bonusin prej 10 mijë lekësh.
Gonxhja bëri të ditur se, 65 763 pensionistë invalidë, 44 561 pensione familjare gra dhe burra të ve, fëmijë jetim, pavarësisht se sa pension do të marrin do të kenë bonsin e plotë prej 15 mijë lekë. Gjithashtu tha Gonxhja në bonusin e këtij fundviti përfshihet dhe një kategori tjetër që janë 2 900 pensionet e parakohshme të ushtarakëve.
Ndërkohë nga 91 mijë pensionet e fshatit, si mesatare bonusi rrit me 12 % pensionin vjetor. Për 5 174 pensione invaliditeti në fshat u rritet pensioni vjetor me 14.5% dhe për 2 300 pensionet familjare në fshat ky bonus e ka efektin e tij, sikur të rritej pensioni vjetor me 66.3% .
“Praktikisht efekti i fondit prej 100 milionë euro i bonusit që miratuam sot, rrit me 9 % një pension prej 15 mijë lekësh për një vit, ose rrit mesatarisht me 13% një pension social ose rrit me 35% pensionin familjar”, tha Gonxhja.
Bonusi i fundvitit është më i madhi se asnjë herë më parë. Pagesa do të nisi nga java e dytë e dhjetorit dhe shpërndarja pranë sporteleve të ISSH-së, informoi Gonxhja.
