Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave vendimin që i kalon 10 mijë metra katrorë tokë shtetërore, e llojit truall, në Korçë, shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., në pronësi në shumicë të Agim Zeqos, i njohur ndryshe edhe si “Gimja” i Red Bullit.
Më herët shoqëria kishte paraqitur planin e biznesit dhe investimeve me vlerë 18.1 milionë euro për ndërtimin e një resorti me 5 yje në qytetin e Korçës, ndërtimi i cili do të realizohet i gjithë në sipërfaqe tokë shtetërore, që tashmë i është akorduar me statusin e “investitorit strategjik”.
Ja vendimi i plotë i Qeverisë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të kreut II, të vendimit nr.1030, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronës së paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C.
3. E drejta e përdorimit të pronës së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, nga investitori strategjik “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, detyrimet dhe kushtet e përdorimit bazohen në pikën 7, shkronja “c”, dhe 11, të vendimit nr.29/4, datë 1.2.2023, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /ekofin.al
