Qeveria po përgatit ndryshime në ligjin për menaxhimin e kimikateve, me synimin për të hequr një nga barrierat administrative për bizneset që prodhojnë, vendosin në treg, depozitojnë apo ruajnë kimikate të rrezikshme.
Projektligji, i hartuar nga Ministria e Mjedisit, parashikon shfuqizimin e regjimit të licencimit për këto veprimtari, pasi licenca është vlerësuar si barrierë tregtare në kuadër të përafrimit me rregullat e Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë të mallrave. Sipas relacionit, detyrimi për licencim është konsideruar si masë me efekt të njëjtë me kufizimet sasiore për importin dhe eksportin, në kundërshtim me parimet e tregut të brendshëm të BE-së.
Ndryshimet prekin ligjin nr. 27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve” dhe synojnë thjeshtimin e procedurave administrative, shmangien e mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve dhe krijimin e një sistemi më fleksibël për përditësimin e listave teknike të substancave të rrezikshme.
Një nga ndryshimet kryesore është që ministria përgjegjëse për tregtinë të jetë autoriteti i vetëm kompetent për kontrollin në treg të kimikateve, duke hequr ndarjen e deritanishme të kompetencave me ministrinë përgjegjëse për industrinë. Paralelisht, hiqen edhe dispozitat që lidhen me kontrollin e pajisjes me licencë dhe sanksionet administrative për mungesën apo shkeljen e kushteve të saj.
Projektligji parashikon gjithashtu që lista e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë, të njohura si SVHC, si dhe lista e substancave kandidate, të mos miratohen më me vendim të Këshillit të Ministrave, por me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. Sipas relacionit, kjo do të mundësojë përditësim më të shpejtë të listave, në përputhje me ndryshimet që ndodhin në legjislacionin e Bashkimit Evropian, veçanërisht me rregulloret REACH dhe CLP.
Qeveria argumenton se listat kanë karakter teknik dhe kërkojnë përditësim të shpeshtë, ndaj miratimi me urdhër ministri shihet si mekanizëm më praktik se procedurat më të gjata të vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave. Ndërkohë, kriteret për përfshirjen e substancave në listën SVHC dhe autorizimi i kushtëzuar për përdorimin e tyre do të vijojnë të miratohen me vendim qeverie.
Ndryshimet lidhen edhe me procesin e integrimit evropian, konkretisht me Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, si dhe me Kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”. Relacioni thekson se projektligji nuk përafron drejtpërdrejt një akt të posaçëm të BE-së në këtë fazë, por krijon bazën për një përafrim më të shpejtë dhe më fleksibël në të ardhmen. /ekofin.al
