Pas një kalvari të gjatë dhjetëvjeçar, qeveria ka vendosur të shfuqizojë vendimin nr. 262, datë 6.4.2016 të shpalljes së Spitallës si zonë e lirë ekonomike.
Vendimi i 2016 i nënshkruar në emër të qeverisë nga zëvendëskryeministri Niko Pelesshi, shpallte “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit, me sipërfaqe 199.7 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë pikë shtatë) ha, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517, në Spitallë, Durrës, në përbërje të së cilës ishin 16 parcela me numra pasurie. Ky vendim përcaktonte në pikën 7 të tij përzgjedhjen e një zhvilluesi për një sipërfaqe prej 101.2 ha.

Spitalla, gara e vitit 2017 dhe kritikat mbi përzgjedhjen e fituesit
Në vitin 2017, pas një procedure të zgjatur, qeveria finalizoi kalimin e zonës industriale të Spitallës në përdorim nga sektori privat. Procesi u drejtua nga Ministria e Ekonomisë, e cila shpalli si fitues një bashkim kompanish të përbërë nga “Pelikani”, “The Best Construction” dhe “Vëllezërit Hysa”. Këto subjekte propozonin ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit me një vlerë investimi prej rreth 39 milionë euro, si dhe hapjen e rreth 2,500 vendeve të reja pune.
Megjithatë, procedura nuk kaloi pa kundërshti. Kompania EDIL AL, e cila paraqiti një ofertë alternative me një vlerë investimi prej 93 milionë eurosh për ndërtimin e kapanoneve industriale, nuk u shpall fituese. Kjo çoi në kontestime nga ana e operatorit të dytë, ndërsa procesi i përzgjedhjes u kritikua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për mungesë transparence dhe për mënyrën e vlerësimit të ofertave.
Në vitin 2020, qeveria e ndryshon vendimin dhe shpall “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 49.1 (dyzet e nëntë pikë një) ha, si dhe njëkohësisht shfuqizon pikën pikën 7 që parashikonte përzgjedhjen e zhvilluesit për sipërfaqen 101.2 ha. Ministria e Financave hapi thirrjen për oferta, në atë kohë deri në datën 15.4.2021 për bizneset e interesuara.
Ndërkohë një pjesë e pronave në territorin e Spitallës, nisi të jepej për projekte fotovoltaike. Kështu, në 25 mars 2021 për të dytën herë radhazi, “Voltalia” u shpall fituese për Spitallën me ofertën 29 Euro/MW në garë me kompaninë kineze “Universal Energy Co. Ltd” me ofertë 46 Euro/MW për park fotovoltaik.

Më pas, me një vendim të tetorit 2023, qeveria i kalon në përgjegjësi administrimi te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për fondacionin “Durrah City Football Academy”, të pronave shtetërore me numër pasurie 79/1, 80/1 dhe 301/2, pjesë të zonës kadastrale nr. 8517, Spitallë, për ndërtimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës dhe të Qendrës Sportive “Rafael Nadal”.
Duke qënë se tashmë një pjesë e pronave ia dhënë për projekte të tjera, siç është rasti i prodhimit të energjisë nga Voltalia, e cila synon madje ta zgjerojë më tej parkun fotovoltaik, si edhe për Akademinë e Futbollit të Manchester City në Durrës, në mbledhjen e fundit qeveria shfuqizoi vendimin për shpalljen e zonës ekonomike, duke lënë mbyllur kështu një herë e mirë kapitullin e tentativave për ta kthyer Spitallën në TEDA. /ekofin.al

