Pas abuzimeve me fondet e BE-së në bujqësi, që sollën edhe pezullimin ende pa afat të mbështetjes së rradhës, përmes IPARD III, Qeveria ka marrë masa që fondet e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, të kenë një kontroll, monitorim dhe auditim më të rreptë.
Në zbatim të Marrëveshjes së Facilitetit për Reforma dhe Rritje, të nënshkruar me BE-në dhe të ratifikuar me ligjin nr. 19/2025, Ministri i Financave ka miratuar Udhëzimin nr. 21, datë 14.7.2025, i cili përcakton masat për kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të këtij instrumenti financiar të rëndësishëm për vendin.
Ai përcakton detyrime të qarta për autoritetet kombëtare zbatuese dhe strukturat përfituese, duke vendosur një sistem të detajuar masash për kontrollin e brendshëm financiar, auditimin e brendshëm dhe menaxhimin e riskut.
Sipas udhëzimit, çdo institucion që merr pjesë në zbatimin e fondeve të BE-së duhet të zhvillojë plane vjetore të kontrollit të brendshëm, të sigurojë ndarjen e qartë të funksioneve në mënyrë që të shmanget konflikti i interesit dhe të raportojë periodikisht mbi masat parandaluese dhe korrigjuese për abuzimet e mundshme.
Mekanizmat e brendshëm të kontrollit
Çdo institucion përfitues duhet të sigurojë sisteme efektive kontrolli për parandalimin, zbulimin dhe adresimin e financimit të dyfishtë (parimet e kontrollit të brendshëm të njohura ndërkombëtarisht); sistem transparence për të dokumentuar burimet e financimit për çdo hap/aktivitet; deklaratë sigurie që vërteton se kontrollet janë zbatuar dhe gjithë burimet janë raportuar;
Një nga mekanizmat e kontrollit është identifikimi i riskut që duhet të kryhet nga institucionet zbatuese. Në planet e kontrollit të brendshëm duhet të identifikohen zonat me risk të lartë për mospërputhje apo parregullsi si dhe masat parandaluese dhe korrigjuese për secilin risk të identifikuar, së bashku me metodologjinë e monitorimit. Kjo qasje ndihmon në përqendrimin e burimeve në fushat më kritike dhe siguron një nivel të arsyeshëm sigurie për zbatimin korrekt të Instrumentit, thuhet në Udhëzim.
Për më tepër, institucionet janë të detyruara të zbatojnë masa konkrete për parandalimin e konfliktit të interesit, përmes deklaratave të interesit nga stafi përgjegjës për procesin; sistemeve të raportimit të veçantë për konfliktet e mundshme. Për të garantuar integritetin dhe transparencën në zbatimin e reformave, institucionet zbatuese duhet të vendosin mekanizma funksionalë për parandalimin e mashtrimit, korrupsionit dhe parregullsive, duke përfshirë protokolle të brendshme për sinjalizimin e shkeljeve (whistleblowing) si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Roli i auditimit të brendshëm
Gjithashtu, udhëzimi nënvizon rolin kyç të auditimit të brendshëm si një instrument për të vlerësuar performancën dhe përputhshmërinë me rregulloret përkatëse të BE-së. Audituesit e brendshëm do të kenë detyrën të verifikojnë jo vetëm ligjshmërinë e shpenzimeve, por edhe rezultatet konkrete të financimeve.
Sipas Udhëzimit, institucionet zbatuese përgatisin raporte gjashtëmujore të auditimeve, të cilat dorëzohen deri më 15 qershor dhe 15 dhjetor të çdo viti te struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm. Kjo strukturë konsolidon raportet e auditimeve dhe përgatit përmbledhjen me rezultatet e auditimeve si pjesë e raporteve periodike dhe mbështetje të kërkesave për pagesë për periudhën takuese. Më pas, Ministria përgjegjëse për financat dërgon pranë Koordinatorit Kombëtar gjithë dokumentacionin për nënshkrimin e deklaratës së sigurisë brenda datës 5 korrik dhe 5 janar të çdo viti.
Kjo qasje përkon me përpjekjet e qeverisë për të rritur besueshmërinë e institucioneve shqiptare në menaxhimin e fondeve dhe vjen në një moment kur Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në, me objektivin për të përfituar më shumë fonde për reforma strukturore dhe zhvillim ekonomik dhe integrim evropian./ekofin.al
