Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të ngrijë marzhin bruto të fitimit në 5% për tetë grupe produktesh, përkatësisht për bukën, miellin, vezët, dhallën, kosin dhe vajin e gatimit. Në 10% është kufizuar marzhi i fitimit për një grup prej 55 produktesh, si mishi, mishi i përpunuar, mallrat e konservuara dhe brumërat.
Kufizimi i marzhit bruto prej 15% është vendosur për 39 produkte ushqimore dhe produkte higjienike, si frutat dhe perimet e freskëta, pelenat për fëmijë, detergjente, ushqim për foshnja dhe të ngjashme. Çmimi i tetë grupeve të produkteve nuk duhet të jetë më i lartë se ai që ishte më 1 shkurt. Vendimet do të hyjnë në fuqi me publikimin në Gazetën Zyrtare dhe do të zgjasin deri më 30 prill.
Qeveria ka paralajmëruar kontrolle dhe gjoba deri në 20 mijë euro.
“Analiza e ISHT-së tregoi se tregtarët me shumicë dhe pakicë llogaritin marzhin bruto të fitimit për produktet ushqimore bazë prej 20%-25% për produktet bazë në tregtinë me pakicë dhe 20% – 50% në tregtinë me shumicë. Ky vendim detyron të gjithë ata që merren me tregtinë me shumicë dhe pakicë që të sigurojnë që të gjitha këto produkte të jenë të pranishme në rafte të paktën 70%”, tha Marjan Ristevski – zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës.
Pas vendimit të qeverisë, tregtarët, të zhgënjyer dhe të irrituar kërkuan një takim urgjent me kryeministrin dhe ministrin e ekonomisë dhe kërcënuan se do t’i mbyllin marketet.
“Vendimi i marrë nga Qeveria është në dëm të madh për tregtarët dhe shkakton rrezik për mbijetesë. Pjesa më e madhe nga ato markete pas përfundimit të masave janë të detyruar që të mbyllen. Ne si tregtarë do të ishim të kënaqur vetëm me 5% të marzhit të fitimit. Me këtë ka pasqyrë të saktë para popullit dhe Qeverisë se tregtarët nuk kërkojnë që të përfitojnë shumë, e as nuk mund të punojnë me humbje”, tha Lavdrim Gega – kryetar i Dhomës Ekonomike me shumicë dhe pakicë.
Sipas tyre, ky vendim do të vendosë në diskutim ekzistencën e 1085 dyqaneve me 9000 të punësuar. Qeveria mori dy masa në përpjekje për të ulur çmimet e ushqimit. Me njërën masë kufizohen marzhet nga 5 deri në 15% për 102 grupe të produkteve, ndërsa me masën tjetër ngrihen çmimet për 8 grupe të produkteve, ndërsa çmimi më i lartë do të jetë ai i 1 shkurtit.
Pritet që çmimet të ulen deri në 10% përveç atyre produkteve themelore nga 8 grupet e produkteve për të cilat pritet që çmimet të mbeten të njëjta. Masat do të zgjasin deri në fund të prillit, që do të thotë përfshihen edhe Ramazani dhe festa e Pashkëve.
Marzhi bruto i fitimit 5%
Bukë, qumësht, miell tip 400 dhe 500, kos, dhallë, vezë, vaj.
Marzhi bruto i fitimit 10%
Sheqer, produkte të qumështit, margarinë, gjalpë, fasule, perime të konservuar, pemë të konservuara, lëngje të gazuara, birrë, verë.
Marzhi bruto i fitimit 15%
Fruta të freskët, perime të freskëta, xhel për dush prej 250 ml., shampo prej 400 deri në 800 ml, faculeta të lagura, letër tualeti, peceta higjienike, pelena për fëmijë, ushqime për foshnja, sapun dhe sapun i lëngshëm, detergjent për rroba.
Analiza e Inspektoratit të Tregut ka treguar se marzhi bruto e fitimit e gjithë zinxhirit për furnizim me ushqim është nga 50%-70%. Produktet që kushtojnë 100 denarë, qytetarët në dyqane i paguajnë 170 denarë./Tv 21
