Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e ndihmës financiare humanitare prej 1 milion eurosh për Ukrainën, e cila u sulmua më 24 shkurt nga Rusia.
Sipas këtij vendimi, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 milion eurosh.
Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.
Për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë, ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Vendimi për të ndihmuar Ukrainën u dha nga Kryeministri Edi Rama në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë, Poloni, ku ai theksoi se “e di se kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit, por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe u jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë të saj”.