Edhe pse data 1 qershor është njoftuar se do të shënojë ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, ende mungojnë aktet specifike ligjore, që do të mundësojë zbatimin e plotë të ligjit. Përmes këtyre akteve, do të përcaktohen kategoritë e qeseve plastike që do të ndalohen të prodhohen, tregtohen apo importohen, si dhe institucionet përgjegjëse që do të duhet të kontrollojnë zbatimin e ligjit.
Sipas një dokumenti të nxjerrë për konsultiom publik nga Ministria e Mjedisit në fillim të muajit maj, të gjitha qeset, që janë më të trasha se mbi 70 mikron, që mund të mbajnë mbi 10 kg e me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi, pa përfshirë gjerësinë e palosjes, do të vijojnë përdorimin e tyre, sikurse deri më tani.
Po ashtu, sipas dokumentit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të monitorojë zbatimin e detyrimit për tregtimin e qeseve plastike, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është struktura kryesore përgjegjëse për ndalimin e importimit apo futjes në territorin e Shqipërisë të këtyre produkteve.
Ndërkaq, mbikqyrja e aktivitetit të prodhimit është lënë në në dorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Gjithsesi, në mungesë të miratimit të këtij vendimi, ligji nuk do të mund të zbatohet, të paktën duke nisur nga 1 qershori. Kjo është përpjekja e dytë që bën Qeveria brenda pak muajve për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.