Një raport i ri i “Post Office Travel Money” ka renditur Tiranën ndër destinacionet më të lira për “city break” në Evropë për vitin 2026, ndërsa Europa Lindore dominon listën e qyteteve me raportin më të mirë cilësi-kosto për turistët.
Sipas studimit, Tirana renditet e treta në Evropë për pushime urbane me kosto të ulët, me një shpenzim total prej 263 paundësh ose rreth 304.5 euro për dy persona, përfshirë akomodimin, ushqimin, transportin dhe atraksionet kryesore turistike.
Raporti analizoi kostot e 12 shpenzimeve tipike turistike në 50 qytete evropiane, duke përfshirë kafenë, birrën, darkën për dy persona me verë, transportin publik, hyrjet në muze dhe galeri arti, turet turistike dhe qëndrimin për dy net në hotel me tre yje.
Sipas raportit, qytetet e Evropës Lindore vazhdojnë të ofrojnë vlerën më të mirë për turistët, me tetë nga dhjetë destinacionet më të lira që ndodhen në këtë rajon.
Sarajeva në Bosnje-Hercegovinë u rendit për herë të parë si destinacioni më ekonomik në Evropë për vitin 2026, me një kosto totale prej 248 paundësh ose 287 eurosh. Pas saj vijnë Bukureshti në Rumani me 258 paund ose 299 euro dhe Tirana me 263 paund ose 304.5 euro.
Raporti e përshkruan Tiranën si një destinacion “gjithçka që të duhet” për një pushim të qetë urban, duke theksuar popullaritetin në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik. Sipas autorëve, kombinimi i çmimeve të ulëta, transportit të lirë dhe kostove të përballueshme të ushqimit e bën kryeqytetin shqiptar një alternativë tërheqëse për turistët Evropianë që po shmangin udhëtimet e kushtueshme ndërkontinentale.
Në pesëshen e qyteteve më të lira përfshihen gjithashtu Beogradi në Serbi me 265 paund ose 307 euro dhe Trençin në Sllovaki me 272 paund ose 315 euro.
10 qytetet evropiane më të lira:
- Sarajeva, Bosnjë -Herzegovina: £248/€287
- Bukuresht, Romani: £258/€299
- Tirana, Albania: £263/€304.50
- Beograd, Serbi: £265/€307
- Trenčín, Sllovaki: £272/€315
- Riga, Letoni: £278//€322
- Lille, Francë: £289/€334
- Vilnius, Lituani: £289/€334
- Strasburg, Francë: £319/€369
- Podgorica, Mali i Zi: £332/€384.50
Raporti thekson se rritja e çmimeve të fluturimeve po shtyn gjithnjë e më shumë evropianë drejt pushimeve të shkurtra në qytete afër, në vend të udhëtimeve të gjata dhe të kushtueshme. Sipas analizës, diferencën më të madhe në koston totale e bën akomodimi, ndërsa në qytetet më të lira turistët kanë më shumë liri për të shpenzuar pa planifikim të detajuar.
Në anën tjetër të renditjes, Oslo rezulton qyteti më i shtrenjtë për pushime urbane në Evropë për vitin 2026, me një kosto totale prej 734 paundësh ose 850 eurosh për dy persona. Pas kryeqytetit norvegjez renditen Kopenhageni, Edinburgu, Gjeneva dhe Barcelona.
Raporti evidenton se çmimet e larta të hoteleve dhe kostot më të mëdha për ushqim dhe restorante janë faktorët kryesorë që i bëjnë këto destinacione dukshëm më të kushtueshme se qytetet e Evropës Lindore./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
