Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin një pjesë të rrugës Tiranë-Durrës për shkak të punimeve që kryen nga ARRSH. Më konkretisht ARRSH ka nisur mbrëmjen e së enjtes riasfaltimin e rrugës Maminas-Durrës.
Për shkak të punimeve, në këtë aks rrugor ka fluks të shtuar. Për rrjedhojë, Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të përdorin rrugë alternative, duke përdorur aksin rrugor dytësor Maminas- Koxhas-Sukth dhe rrugën e vjetër Ndroq-Rrethrotullimi i Plepave.
Ende nuk ka një informacion sesa pritet të zgjasin ndërhyrjet në atë që vlerësohet si aksi me intensitetin më të lartë të trafikut, aq më tepër tani në mes të sezonit turistik. Megjithatë, amortizimi dhe gjendja e autostradës e kanë detyruar ARRSH të ndërhyjë.

