Tregu i punës në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 paraqet lëvizje të ndryshme mes sektorëve, gjinive dhe grupmoshave. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, punësimi shënon rritje në shërbime, ndërsa bujqësia dhe industria vazhdojnë të bien, ndërkohë që papunësia mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.
Zhvillimi i tregut të punës
Pjesëmarrja në forcat e punës (15–64 vjeç) ka arritur në 76,2 % në T II 2025. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues është rritur me 0,6 pikë përqindje, por është ulur me 0,5 p.p. në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti. Për burrat, pjesëmarrja është 82,6 %, ndërsa për gratë 70,1 %, duke lënë një diferencë gjinore prej 12,5 p.p.. Krahasuar me vitin e kaluar, pjesëmarrja është rritur më shumë për gratë (+0,9 p.p.) se për burrat (+0,3 p.p.). Te të rinjtë 15–29 vjeç, pjesëmarrja është 51,5 %, duke rënë me 3,0 p.p. si në terma vjetorë, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në grupmoshën 30–64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes mbetet e lartë: 85,4 %.
Punësimi për popullsinë 15–64 vjeç ka qenë 69,1 % në T II 2025, një rritje me 0,5 p.p. nga viti i kaluar, por ulje me 0,4 p.p. nga tremujori i parë i vitit. Për popullsinë 15 vjeç e lart, shkalla e punësimit është 58,4 %. Numri i të punësuarve në total është ulur me 0,9 % krahasuar me një vit më parë. Rënia më e madhe regjistrohet në bujqësi (-7,5 %) dhe industri (-3,8 %), ndërsa shërbimet janë rritur me 6,2 %. Në raport me tremujorin e parë, punësimi total është rritur lehtë me 0,2 %, falë rritjes në shërbime (+1,8 %), ndërkohë që bujqësia (-1,1 %) dhe industria (-1,2 %) kanë vijuar rënien.
Në ndarjen sipas gjinisë, burrat kanë një shkallë punësimi 75,7 % (+0,7 p.p. vjet), ndërsa gratë 62,6 % (+0,2 p.p. vjet). Shkalla e punësimit për të rinjtë 15–29 vjeç është 43,7 %, duke rënë me 0,7 p.p. në krahasim me një vit më parë dhe me 1,0 p.p. nga tremujori i parë. Për grupmoshën 30–64 vjeç, shkalla e punësimit arrin në 78,4 %.
Papunësia zyrtare (15+ vjeç) qëndron në 8,5 % në T II 2025. Ky tregues është i pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar, por ka rënë lehtë me 0,1 p.p. nga tremujori i parë i këtij viti. Sipas gjinisë, papunësia te burrat është 7,5 % (-0,5 p.p. vjet), ndërsa te gratë 9,8 % (+0,7 p.p. vjet). Te të rinjtë 15–29 vjeç, papunësia shënon 15,1 %, duke rënë me 3,3 p.p. nga viti i kaluar dhe me 2,8 p.p. nga tremujori i parë. Për moshat 30–64 vjeç, papunësia është 8,1 %, duke u rritur me 1,0 p.p. në terma vjetorë dhe me 0,6 p.p. krahasuar me tremujorin e parë.
Nga ana tjetër, popullsia ekonomikisht joaktive (15–64 vjeç) përbëhet kryesisht nga persona të angazhuar në detyra shtëpiake (17,4 %), pensionistë ose në pension të parakohshëm (10,8 %), dhe individë me paaftësi të përhershme për punë (15,1 %). Rreth 2,3 % e tyre klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Te të rinjtë 15–29 vjeç, 72,8 % e joaktivëve janë nxënës ose studentë, ndërsa 0,9 % hyjnë në kategorinë e të dekurajuarve. Në grupmoshën 30–64 vjeç, 14,6 % e joaktivëve janë të dekurajuar.
Shifrat e tremujorit të dytë 2025 tregojnë një tablo të përzier për tregun e punës në Shqipëri. Pjesëmarrja dhe punësimi kanë pasur rritje modeste në terma vjetorë, por me rënie në krahasim me fillimin e vitit. Papunësia mbetet në nivel të qëndrueshëm, megjithëse me ndryshime të dukshme mes gjinive dhe grupmoshave. Ndërkohë, sektori i shërbimeve konfirmohet si motori kryesor i punësimit, ndërsa bujqësia dhe industria vijojnë të humbin vende pune./ekofin.al

