E ndodhur përballë mungesës së burimeve të kualifikuara dhe forcës së punës në mungesë, sidomos në rradhët e të rinjve, Qeveria po shton përpjekjet, por edhe financimet për të integruar më shumë të rinj në tregun e punës.
Skema e Garancisë Rinore synon të ndikojë në uljen e numrit të largimit të të rinjve nga Shqipëria, si dhe të reduktojë shifrat e kategorisë NEET në rradhët e të rinjve (as në edukim, as në punësim dhe as në trajnim).
Garancia Rinore u pilotua në vitin 2024 në tre Bashki, Tiranë, Vlorë e Shkodër, ndërsa tani pritet që të zgjerohet më tej.
Bëhet fjalë për programin e nxitjes së kodimit. Ky program u mundëson individëve pa përvojë në shkencat kompjuterike, brenda një periudhe relativisht të shkurtër të aftësohen dhe të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike.
Për këtë arsye qeveria ka përgatitur një skemë mbështetjeje për ndjekjen e këtyre programeve nga të rinjtë, punëkërkuesit dhe punëmarrësit që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale.
Sipas vendimit “Për miratimin e dokumentit të politikave prioritare 2026–2028”, aktualisht janë në proces përgatitjet për të vijuar me implementimin e fazës së dytë të projektit.
Financimi ofrohet sipas kritereve të mëposhtme:
– Pjesëmarrësit punëkërkues të papunë të regjistruar, financohen në masën 100%, por, në asnjë rast, më të lartë se 300,000 (treqind mijë) lekë të kostos së kursit të formimit profesional;
– Çdo pjesëmarrës punëkërkues apo punëkërkues i punësuar i regjistruar, financohet në vlerën 50% të kostos së kursit të formimit profesional, por, në asnjë rast, më të lartë se 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
– Për personat me aftësi të kufizuara, institucionit të formimit profesional, publik apo privat, i financohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa u përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur, në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, përgatitjen e instruktorëve për të ofruar trajnim të posaçëm për këtë kategori, deri në shumën 200,000 (dyqind mijë) lekë. Informacione për procesin:
– Aplikimi kryhet nëpërmjet portalit ealbania, nën përshkrimin: “Aplikim për kursin e formimit profesional me mbështetje financiare”;
– Aplikuesit përzgjedhin akademinë ku dëshirojnë të marrin formimin profesional dhe pas validimit të aplikimit të tyre kontaktohen nga kompania për të kryer testin e pranimit;
– Kursantët, të cilët përfitojnë nga kjo mbështetje kanë detyrimin të qëndrojnë dhe të kërkojnë punë brenda Republikës së Shqipërisë, për një periudhë jo më pak se 2-vjeçare, menjëherë pas mbarimit të kursit, në të kundërt janë të detyruar të kthejnë 100% të vlerës së mbështetjes financiare të përfituar, sipas skemës së përcaktuar në këtë vendim.
Për reformat në fushën e kapitalit njerëzor, skema e mbështetjes (grant+kredi) parashikon rreth 190 milionë euro, kjo edhe me mbështetjen e BE-së. /ekofin.al
