Në Shqipëri, aktivitetet fitimprurëse, bashkimi familjar dhe studimi mbeten arsyet më të zakonshme për aplikimet për leje qëndrimi të shtetasve të huaj.
Sipas të dhënave nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit, në fund të vitit 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi u rrit në 21,940, që përbën një rritje prej 480 personash ose rreth 2.24% më shumë në krahasim me vitin 2023.
Kjo rritje tregon një trend pozitiv dhe një interes të qëndrueshëm të shtetasve të huaj për të qëndruar në Shqipëri, që lidhet me faktorë si mundësitë e punësimit, arsimimit ose politikat e hapura migratore. Në lidhje me motivet e aplikimit për leje qëndrimi në vitet 2023 dhe 2024, vërehen ndryshime interesante.
Sipas Profilit Kombëtar të Migracionit për vitin 2024, numri i aplikimeve për bashkim familjar u ul nga 2,249 në 2,019, një rënie prej rreth 10%. Ndërkohë, aplikimet për punëmarrës janë rritur ndjeshëm nga 6,866 në 7,613, një rritje prej rreth 10.8%. Ky fakt tregon një rritje të interesit për punësim në Shqipëri si motiv kryesor për qëndrimin e të huajve.
Nga ana tjetër, aplikimet për vetëpunësim ose investim ranë nga 662 në 584, që është një ulje prej rreth 11.7%. Aplikimet për leje qëndrimi me motiv studimi u rritën nga 815 në 877, duke shënuar një rritje prej rreth 7.6%. Në vitin 2024, gjithashtu, u rrit numri i lejeve të lëshuara për arsye humanitare (nga 133 në 140) dhe për arsye të tjera (nga 1,661 në 1,865).
Një risi ishte lëshimi i disa lejeve nën iniciativën Open Ballkan, që filloi me 6 raste testuese. Nga ana tjetër, lejet e përhershme të qëndrimit shënuan një ulje të ndjeshme, nga 138 në 72, që mund të tregojë një reduktim në aplikimet për qëndrim afatgjatë ose ndryshime në kriteret për to.
Rritja më e madhe vërehet në sektorin e punësimit, ndërsa bashkimi familjar dhe vetëpunësimi kanë pasur luhatje.
Ndërkohë, sipas dokumentit, gjatë vitit 2024, AKPA-ja ka trajtuar gjithsej 11,224 aplikime online për pajisje me leje unike për qëndrim dhe punë për shtetasit e huaj. Nga këto:3,199 aplikime (28%) u përkasin shtetaseve femra; – 8,014 aplikime (71%) përfaqësojnë kërkesa për herë të parë. Sa i përket ndarjes sipas llojit të aplikimit, rezulton se: 9,419 janë miratime për punësim, ndërsa 1,805 janë deklarime punësimi, prej të cilave 1,314 nga shtetas të vendeve anëtare të BE-së dhe 491 nga vende të Ballkanit Perëndimor. /ekofin.al

