Të mërkurën, Pierre Masselot mori një mesazh nga çerdhja e vajzës së tij, më pak se 50 milje larg nga stacioni meteorologjik që këtë javë theu rekordin e temperaturave të qershorit në Mbretërinë e Bashkuar, ku prindërve u kërkohej të merrnin fëmijët më herët, pasi ambientet e shkollës po bëheshin shumë të nxehta.
Skena të ngjashme u përsëritën në të gjithë Europën këtë javë, ndërsa kontinenti po përballet me valën më të fortë dhe më të përhapur të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë, një forcë mbytëse e përkeqësuar nga ndotja me karbon dhe e bërë edhe më e padurueshme nga dështimi i përsëritur për t’u përgatitur për të.
Franca regjistroi ditën dhe natën më të nxehtë në histori, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra thyen rekordet e temperaturave për një ditë qershori.
Për Masselot, epidemiolog mjedisor në London School of Hygiene & Tropical Medicine dhe një nga studiuesit kryesorë të Evropës për vlerësimin e viktimave të fshehura të valëve të të nxehtit, ditët e fundit i kujtojnë verën e tmerrshme të vitit 2003. Atëherë ai ishte adoleshent në Francën jugore dhe përjetoi nga afër pasojat e një vale ekstreme të të nxehtit që shkrumboi Evropën.
Në atë verë, rreth 70 mijë persona humbën jetën, kryesisht të moshuar, veçanërisht gra dhe persona që jetonin vetëm. Tani, ajo që dikur konsiderohej përjashtim po bëhet normë.
“Sot përjashtimet e së kaluarës janë bërë normalitet, dhe përjashtimet e sotme do të jenë normaliteti i së nesërmes”, tha Masselot, 37 vjeç. “Shkencëtarët e klimës kanë kohë që paralajmërojnë se do të kemi shumë më tepër vera si ajo e 2003-shit. Tani kjo është bërë dukshëm e qartë.”
Sisteme të papërgatitura për një klimë ekstreme
Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, valët e të nxehtit vazhdojnë të paralizojnë pjesë të mëdha të kontinentit. Në Angli, disa spitale kanë shpallur gjendje kritike, për shkak të dështimit të sistemeve të ftohjes dhe ngadalësimit të sistemeve IT. Shkollat, vendet e punës dhe hekurudhat janë përballur me ndërprerje, ndërsa janë regjistruar edhe zjarre në pyje.
Në Francë, ku rreth gjysma e banesave kanë mbrojtje të dobët nga nxehtësia, më shumë se 55 persona janë mbytur gjatë përpjekjes për t’u freskuar, katër fëmijë të vegjël kanë humbur jetën brenda makinave të nxehta dhe dy reaktorë bërthamorë janë mbyllur për mungesë uji ftohës.
Pas katastrofës së vitit 2003, shumë vende evropiane krijuan sisteme paralajmërimi dhe masa emergjente, si mbyllja e shkollave, kufizimi i lëvizjeve dhe shtyrja e shërbimeve jo urgjente në spitale. Studimet tregojnë se këto masa kanë ulur ndjeshëm vdekshmërinë nga nxehtësia, deri në 75% më pak nëse një valë e ngjashme do të ndodhte sot.
Megjithatë, valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive, dhe mbetet e paqartë nëse masat e përshtatjes po ecin me ritmin e rritjes së ndotjes klimatike.
Një krizë që po përshpejtohet
Edhe këtë vit, sistemet e paralajmërimit u aktivizuan që në maj, kur temperaturat thyen rekorde historike në Evropën veriperëndimore. Dy javë më vonë, Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropën përditësoi udhëzimet për planet e veprimit ndaj nxehtësisë, 18 vjet pas publikimit të tyre të parë.
Sipas OBSH-së, Europa ka humbur rreth 200 mijë jetë në katër vitet e fundit për shkak të nxehtësisë.
“Tragjedia është e dyfishtë: shumica e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar dhe, së dyti, këto janë vetëm maja e ajsbergut”, deklaroi drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Shkencëtarët theksojnë se Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe afërsisë me Arktikun që po shkrihet me ritme të shpejta. Një studim i “World Weather Attribution” ka vlerësuar se vala aktuale e të nxehtit do të kishte qenë “praktikisht e pamundur” 50 vjet më parë.
Rreziqet shëndetësore dhe mungesa e përgatitjes
Temperaturat e larta gjatë natës janë veçanërisht shqetësuese, pasi rrisin ndjeshëm rrezikun për shëndetin. Sipas studiuesve, ato janë rreth 100 herë më të mundshme se në vitin 2003, ndërsa kulmet e temperaturave ditore janë rreth 10 herë më të shpeshta.
Ekspertët theksojnë se lodhja nga përsëritja e paralajmërimeve është e madhe.
“Ka një pashmangshmëri të trishtuar në gjithë këtë, kur shkencëtarët përsërisin të njëjtat paralajmërime çdo vit”, tha klimatologia Friederike Otto. “Po ecim drejt një të ardhmeje gjithnjë e më të rrezikshme.”
Çfarë mund të bëhet?
Ekspertët kërkojnë më shumë hije në qytete, ventilim më të mirë të ndërtesave dhe zgjerim të hapësirave të gjelbra për të ulur efektin e “ishullit urban të nxehtësisë”. Po ashtu, rekomandohet mbështetje më e madhe për spitalet dhe kujdes i shtuar për të moshuarit dhe personat vulnerabël.
Përdorimi masiv i kondicionerëve shihet me kujdes, pasi mund të rrisë ngarkesën në rrjetin elektrik dhe të përkeqësojë ngrohjen urbane, megjithëse mbetet i domosdoshëm për spitale, shtëpi kujdesi dhe transport publik.
Debati politik dhe klimatik
Ndërsa temperaturat rriten, debati politik për klimën po ashpërsohet. Disa forca politike në Europë kundërshtojnë politikat e energjisë së pastër, ndërsa të tjerë kërkojnë rritje të përdorimit të kondicionerëve si zgjidhje të shpejtë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka përsëritur thirrjet për ndalimin e përdorimit të karburanteve fosile, ndërsa paralajmërimet për krizën klimatike shpesh përplasen me vendime politike që dobësojnë politikat mjedisore.
Një kujtesë që po zbehet
Për Masselot, i cili kujton fëmijërinë e tij në verat e nxehta në Francë, ku njerëzit mbanin grilat mbyllur gjithë ditën për t’u mbrojtur nga dielli, ndërgjegjësimi për nxehtësinë është rritur, por ende jo mjaftueshëm.
“Njerëzit kanë mësuar disa mësime dhe e dinë çfarë rreziku sjell”, tha ai. “Por shpesh, sapo mbaron vera, e harrojmë përsëri.” /the guardian

