Këshilli i Ministrave i Italisë ka miratuar dekretin e ri për sigurinë dhe kriminalitetin e të miturve.
“Të gjithë i kemi parë pamjet e dhunës që tronditën Milanon dhe qytete të tjera italiane gjatë fundjavës, dyqane të plaçkitura, vitrina të shkatërruara dhe forca të rendit të sulmuara.
Këto janë skena të papranueshme, të cilat askush nuk mund të mendojë t’i minimizojë apo justifikojë. Për këtë arsye, sot Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me masa të reja për të parandaluar dhe luftuar këto akte dhune”, deklaroi kryeministrja Giorgia Meloni, në një video të publikuar pas mbledhjes së qeverisë.
Deri në pesë vite burg dhe 20 mijë euro gjobë për pjesëmarrje të dhunshme në protesta
“Sot krijohet një vepër e re penale: pjesëmarrja e dhunshme në një manifestim”, deklaroi kryeministrja.
“Nëse gjatë një marshimi apo manifestimi bashkohesh me një grup prej pesë ose më shumë personash dhe fillon të hedhësh gurë, mjete piroteknike apo të përdorësh shkopinj, duke rrezikuar sigurinë e të gjithëve, mund të dënohesh me deri në pesë vite burg dhe deri në 20 mijë euro gjobë.
Nëse e ke pasur fytyrën të mbuluar ose ke plagosur dikë, dënimi rëndohet. Rriten gjithashtu dënimet për ata që kryejnë shkatërrime në grup.”
Meloni theksoi se me këtë dekret qeveria po zbaton një parim të thjeshtë: “Kush shkatërron, paguan. Dhe nëse ai që shkatërron është i mitur, paguajnë prindërit e tij.”
Sipas saj, nëse dëmi shkaktohet ndaj një prone publike, si një stacion autobusi, semafor apo automjet policie, prefekti i dërgon personit përgjegjës urdhrin e pagesës në banesë.
Nëse dëmi shkaktohet ndaj një prone private, si vitrina e një dyqani, një biznes apo automjet, pronari mund t’i drejtohet gjykatës dhe të marrë një urdhër pagese menjëherë të ekzekutueshëm.
Ndalimi parandalues do të zbatohet edhe për të miturit
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përgjegjësinë penale të të miturve të moshës 14–18 vjeç.
“Sot, për një të ri nga 14 deri në 18 vjeç, shteti duhet të provojë çdo herë se ai ishte në gjendje të kuptonte atë që po bënte”, shpjegoi Meloni.
“Ne kishim miratuar tashmë një dispozitë që e përmbys këtë parim. Pra, prezumohet se i mituri ishte në gjendje të kuptonte veprimet e tij, përveç rasteve kur provohet e kundërta.
Kjo dispozitë ndodhet në Parlament, por me dekretin e sotëm hyn menjëherë në fuqi. Edhe ndalimi parandalues, që deri më tani zbatohej vetëm për të rriturit, do të mund të përdoret ndaj të miturve.”
Kryeministrja italiane nënvizoi se asnjë bindje politike, pakënaqësi sociale apo kundërshtim ndaj qeverisë nuk mund të justifikojë shkatërrimin e një dyqani për të grabitur mallrat e tij.
“Pas asaj vitrine qëndron një familje që ka investuar sakrificat e një jete, punonjës që rrezikojnë të humbasin vendin e punës dhe qytetarë që kanë të drejtë të jetojnë në qytetin e tyre pa frikë.
Nuk ka asgjë revolucionare te shkatërrimi dhe vjedhja. Të shkatërrosh dhe të vjedhësh nuk është protestë, është kriminalitet. Dhe përgjigjja e shtetit duhet të jetë e vendosur”, deklaroi Meloni.
Presidenca kundërshton kompetencat e policisë gjyqësore për ushtarakët
Kundërshtimi i vetëm i Presidencës së Republikës italiane, Quirinale, ndaj projektit të dekretit të ri për sigurinë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, lidhet me mundësinë e dhënies së kompetencave të policisë gjyqësore personelit ushtarak.
Sipas burimeve parlamentare, kjo ka qenë çështja kryesore që qeverisë i është dashur të zgjidhë pas konsultimeve të zakonshme ndërmjet zyrave të Presidencës dhe atyre të Kryeministrisë.
Përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave, nënsekretari i Kryeministrisë, Alfredo Mantovano, drejtoi disa takime teknike në Palazzo Chigi për të shqyrtuar përmbajtjen e dekretit.
Në takim morën pjesë edhe drejtuesit e kabineteve të ministrive përkatëse, si dhe përgjegjësit e zyrave ligjore, përfshirë zyrën ligjore të Kryeministrisë, të drejtuar nga Francesca Quadri.
Ndër masat që ishin në diskutim përfshiheshin zgjerimi i ndalimit parandalues edhe për të miturit, me kohëzgjatje mbi 12 orë, arrestimi në flagrancë i shtyrë në kohë për personat përgjegjës për dëmtime të kryera në grup, si dhe ndalimi i grumbullimit për individët që konsiderohen të rrezikshëm për rendin publik.
Parashikohej gjithashtu forcimi i operacionit “Strade Sicure” (Rrugë të Sigurta), që përfshin angazhimin e ushtrisë në mbështetje të sigurisë publike. /Përshtati nga Ansa.it, ekofin.al
