Nafta në Slloveni, që shitet me 1.89 euro për litër, është ulur në shumicën e pikave të karburanteve përgjatë autostradave në Slloveni, pasi qeveria hoqi dorë nga disa taksa për karburantet.
Sipas mediave sllovene, distributorët e tjerë do të përshtaten me këtë çmim të reduktuar në ditët në vijim.
Kjo është një masë e përkohshme e qeverisë e cila brenda dy muajsh ka pezulluar dy taksa për karburantet: kontributin për efikasitetin e energjisë dhe për burimet e rinovueshme të energjisë.
Qeveria e miratoi masën pasi vendimi i saj i mëparshëm për liberalizimin e plotë të çmimeve të derivateve të naftës në spikat e karburanteve në autostrada shkaktoi pakënaqësi të madhe, veçanërisht tek transportuesit, dhe çoi në mungesa të herëpashershme të karburantit në pikat jashtë autostradave, ku çmimi i të gjitha karburanteve mbeti i fiksuar dhe më i ulët.
Çmimi i ri i reduktuar i naftës në pikat e karburanteve në autostrada vlen për të gjitha automjetet, jo vetëm për transportuesit apo konsumatorët vendas.