Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përcaktuar rregulla të reja dhe më të detajuara për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive shtetërore, duke standardizuar procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet dhe subjektet private të interesuara.
Udhëzimi nr. 6, datë 1 shtator 2026, i botuar në Fletoren Zyrtare të 14 shtatorit, zbërthen në praktikë zbatimin e vendimit nr. 54 të Këshillit të Ministrave për kriteret, procedurat dhe mënyrën e dhënies me qira, enfiteozë apo përmes kontratave të tjera të pronës shtetërore.
Dokumenti përkufizon fillimisht kategoritë e pasurive që mund të jenë objekt i këtyre procedurave, mes tyre trualli i lirë, toka inproduktive, ndërtesat, sipërfaqet funksionale, si dhe makineritë, pajisjet dhe linjat e prodhimit që janë në pronësi ose administrim të institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore.
Procedura mund të nisë me kërkesën e një subjekti të interesuar ose me propozimin e vetë institucionit, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore që administron pronën.
Subjekti privat duhet të paraqesë të dhënat identifikuese, pasurinë që kërkon të marrë në përdorim, të dhënat kadastrale, aktivitetin që synon të zhvillojë, afatin e përdorimit, investimin e parashikuar, nivelin e punësimit dhe burimin e financimit. Në varësi të aktivitetit mund të kërkohen edhe projektide, skica apo dokumentacion tjetër teknik paraprak.
Një nga risitë kryesore është kalimi i një pjese të konsiderueshme të procesit në rrugë elektronike.
Institucioni që zhvillon procedurën duhet të publikojë njoftimin si në Buletinin e Njoftimeve Publike, ashtu edhe në një seksion të posaçëm të faqes së vet zyrtare. Në këtë seksion do të publikohen dokumentet që duhet të paraqesin ofertuesit, rezultatet, fituesi dhe çdo informacion tjetër që lidhet me procedurën.
Nga momenti i publikimit të njoftimit, komunikimi ndërmjet institucionit dhe ofertuesve duhet të zhvillohet vetëm përmes adresës zyrtare elektronike. Edhe ofertat dhe dokumentacioni dorëzohen elektronikisht, në format PDF. Dokumentet e dërguara jashtë afatit apo në një adresë tjetër elektronike nuk merren në shqyrtim.
Të dhënat që deklarojnë ofertuesit do të kontrollohen edhe përmes platformës e-Albania ose nëpërmjet ndërveprimit ndërinstitucional. Komisioni ka detyrimin të bëjë verifikimet edhe kur subjekti ka depozituar vetë dokumentet provuese.
Fituesi do të përcaktohet sipas sistemit të pikëzimit të kritereve të vendosura për secilën procedurë. Oferta më e favorshme për çdo kriter merr pikët maksimale, ndërsa ofertat e tjera llogariten proporcionalisht. Edhe kur paraqitet vetëm një ofertë e vlefshme, ajo nuk shpallet automatikisht fituese, por i nënshtrohet vlerësimit sipas kritereve të përcaktuara.
Udhëzimi parashikon gjithashtu të drejtën e ankimit. Ankimi paraqitet pranë titullarit të institucionit dhe regjistrimi i tij pezullon vijimin e procedurës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Pas përfundimit të vlerësimit dhe të procedurës së ankimit, kur ka të tillë, komisioni harton raportin përfundimtar dhe titullari vendos për shpalljen e fituesit.
Një pjesë e rëndësishme e udhëzimit lidhet me mënyrën e llogaritjes së tarifave minimale të qirasë.
Për ndërtesat, tarifa dysheme mujore për metër katror përcaktohet në masën 0.3% të vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në zonën përkatëse. Në shembullin e dhënë për Tiranën, për një vlerë mesatare prej 124,316 lekësh për metër katror, tarifa minimale rezulton 372.95 lekë për metër katror në muaj.
Për një ndërtesë prej 100 m², tarifa minimale mujore do të ishte 37,295 lekë.
Nëse bashkë me ndërtesën jepet edhe sipërfaqe funksionale, tarifa për këtë sipërfaqe është 20% e tarifës së ndërtesës. Në shembullin e udhëzimit, një ndërtesë 100 m² dhe një sipërfaqe funksionale prej 200 m² do të kishin një detyrim minimal të përgjithshëm prej 52,213 lekësh në muaj. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së objektit.
Për tunelet dhe vendstrehimet, tarifa është sa një e pesta e tarifës së përcaktuar për ndërtesat. Për truallin e lirë do të zbatohen tarifat sipas bashkive dhe qarqeve, ndërsa për sipërfaqet e përdorura për terminale transporti tarifa dysheme është 20 lekë për metër katror, pavarësisht vendndodhjes.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mundësia që qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi të kërkojë ndryshimin e treguesve dhe afateve të planbiznesit.
Kjo lejohet kur biznesi provon se ekzistojnë rrethana objektive dhe të paparashikuara, që nuk varen prej tij dhe që kanë vështirësuar ose bërë të pamundur realizimin e planit fillestar. Mes rasteve të parashikuara janë forca madhore, vonesat në leje apo licenca nga autoritetet publike, probleme teknike, fizike, gjeologjike apo infrastrukturore të konstatuara pas lidhjes së kontratës, ndryshimet ligjore apo urbanistike dhe kërkesat e reja të autoriteteve.
Mund të rishikohen vlera dhe fazat e investimit, numri i vendeve të punës, afatet e realizimit, kapacitetet prodhuese, sipërfaqet që do të vihen në përdorim dhe tregues të tjerë ekonomikë. Megjithatë, ndryshimi duhet të kufizohet vetëm në masën e nevojshme për të përballuar rrethanën që ka shkaktuar problemin. FZ-2026-198.pdf
Një dispozitë e veçantë parashikon edhe mundësinë që kontratat ekzistuese të qirasë për aktivitetet prodhuese në regjim fason, të lidhura përpara hyrjes në fuqi të vendimit përkatës, të kalojnë në kontrata me tarifën simbolike “1 euro/kontrata”.
Për këtë kërkohet që qiramarrësi të provojë ushtrimin e aktivitetit fason, realizimin e investimit dhe nivelin e punësimit, si dhe respektimin e detyrimeve të kontratës ekzistuese. /ekofin.al
