Pasuritë e paluajtshme në pronësi shtetërore të ndërtuara ose krijuara më shumë se 70 vjet më parë do të futen në listat për verifikimin e interesit kulturor. Në proces do të përfshihen edhe prona që, pavarësisht moshës, paraqesin indicie për vlera historike, artistike, arkitektonike, arkeologjike ose etnografike, figurojnë në dokumentacion historik e arkivor, ose ndodhen në qendra dhe ansamble historike, peizazhe kulturore apo zona arkeologjike.
Verifikimi nuk do të kufizohet vetëm te mosha e objektit. Për çdo pronë do të evidentohen vendndodhja dhe koordinatat, të dhënat kadastrale, institucioni që e administron, gjendja fizike dhe funksionale, statusi i mbrojtjes, mënyra e përdorimit dhe vlerat e mundshme kulturore. Listat do të përgatiten nga institucioni që administron pronën, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të trashëgimisë kulturore.
Për secilin objekt do të hartohet edhe një kartelë e posaçme, ku do të dokumentohen historiku dhe përshkrimi arkitektonik, materialet dhe elementet konstruktive, ndërhyrjet e mëparshme të konservimit, restaurimit apo mirëmbajtjes, si dhe gjendja aktuale e ruajtjes.
Gjithashtu do të verifikohet edhe rreziku i objektit. Kartela parashikon evidentimin e ekspozimit ndaj tërmeteve, përmbytjeve, rrëshqitjeve, zjarrit, rrezikut biologjik dhe ndryshimeve klimatike, si edhe nëse objekti është në përdorim, përdoret pjesërisht apo është jashtë funksionit. Do të shënohet gjithashtu funksioni fillestar dhe ai aktual i pronës.
Gjendja strukturore do të klasifikohet nga objektet në gjendje të mirë dhe pa rrezik, te ato që kanë nevojë për restaurim, objektet në rrezik qëndrueshmërie dhe deri te ndërtesat plotësisht të shkatërruara e të papërdorshme.
Nëse pas këtij procesi prona deklarohet pasuri kulturore, ajo regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore. Statusi i ri nuk ndryshon pronësinë apo institucionin administrues, por sjell zbatimin e kufizimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për trashëgiminë kulturore./ekofin.al
