Ngarkesa e punës në sistemin e prokurorisë në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërkohë që mungesa e burimeve njerëzore vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për funksionimin efektiv të tij. Kjo evidentohet në raportin vjetor të publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin 2025, ku vihet në dukje një rritje e volumit të çështjeve dhe një diferencë e theksuar mes organikës së miratuar dhe numrit real të prokurorëve në detyrë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 66,333 materiale kallëzuese, duke shënuar një rritje prej 8.5% krahasuar me vitin 2024. Në total janë ndjekur 50,058 procedime penale, me një rritje prej 5%, ndërsa vetëm procedimet e reja të regjistruara kanë arritur në 27,049 raste, ose 8.5% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, janë mbartur 22,825 procedime dhe janë vendosur mosfillime për 16,275 raste, kjo e fundit me një rritje të fortë prej 19.7%, çka tregon edhe një filtër më të madh në trajtimin e kallëzimeve.
Pesha më e madhe e ngarkesës bie mbi prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ku vetëm në Tiranë janë trajtuar 26,581 çështje gjatë vitit, duke e bërë atë prokurorinë me volumin më të lartë në vend. Pas saj renditen Durrësi me 6,435 çështje, Korça me 4,862, Vlora me 4,506 dhe Fieri me 4,505 çështje. Në krahun tjetër, prokuroritë me ngarkesën më të ulët rezultojnë Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra.
Megjithatë, rritja e volumit nuk është shoqëruar me rritje proporcionale të kapaciteteve njerëzore. Nga 321 prokurorë të miratuar në organikë për juridiksionin e përgjithshëm, në fakt kanë qenë në detyrë vetëm 204 në prokuroritë e shkallës së parë, 10 në apel dhe 11 në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo diferencë ka sjellë një rritje të ndjeshme të ngarkesës për çdo prokuror. Në disa raste, sipas të dhënave të raportit, mesatarja e çështjeve për prokuror arrin nivele shumë të larta, ndërsa në Prokurorinë e Apelit në Tiranë ngarkesa mesatare ka arritur në 487 çështje për prokuror.
Raporti evidenton gjithashtu aktivitet të shtuar edhe në drejtimet e tjera të punës së prokurorisë. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 110 kërkesa ekstradimi nga jashtë dhe 176 drejt vendeve të tjera, ndërsa janë administruar 420 letërporosi nga jashtë dhe 723 me drejtim jashtë vendit. Njëkohësisht, janë realizuar përgjime për 1,771 pajisje dhe janë ekzekutuar 822 vendime gjykate për këtë qëllim.
Përballë këtij volumi në rritje, raporti thekson nevojën për ndërhyrje në disa drejtime kyçe, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e menaxhimit të brendshëm të punës dhe përdorimin më të madh të teknologjisë për të balancuar ngarkesën dhe rritur efikasitetin. Gjithashtu, rekomandohet plotësimi në kohë i vakancave dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në luftën kundër krimit financiar, kibernetik dhe atij të organizuar. /ekofin.al

