Vlerësimi i ofertave në procedurat e prokurimit publik është faza që përballet më tepër me pakënaqësinë e operatorëve ekonomikë, duke bërë që edhe numri i ankesave të rritet nga viti në vit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni i Prokurimit Publik, nga 7168 procedura unike të publikuara në Sistemin e Prokurime Elektronike (SPE) gjatë vitit 2024, për prokurime publike me vlerë totale prej rreth 330 miliardë Lekë, janë paraqitur 1151 ankesa ose 285 ankesa më shumë se viti 2023.
Ankesat janë adresuar nga 341 Operatorë Ekonomikë për 825 procedura unike të ankimuara me vlerë totale prej rreth 32 miliardë lekë pa TVSH, për 231 Autoritete Kontraktorë, ku 128 prej tyre kanë kontraktorë të qeverisjes vendore).
Në rang kombëtar janë ankimuar 11.5% e procedurave unike të prokurimit mbi kufirin e blerjeve të vogla dhe ankimuar 9.9 % e fondit limit të procedurave të publikuara.
Sipas të dhënave rezulton se 1144 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 5 ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 1 ankesë për leje minerare.
Nga 1151 ankesa të paraqitura në total, 437 prej tyre ose rreth 38%, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 714 ankesa ose rreth 62% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
Ndërsa sipas intervalit të fondit limit përqindja më e madhe e ankesave, pra 33.4 % e tyre, lidhen me procedurat me fond limit nga 1 milion lekë, pa përfshirë vlerën e TVSH-së, deri në 5 milionë lekë, pa përfshirë vlerën e TVSH-së;
Nëse do të analizoheshin sipas llojit të procedurës, për vitin 2024, operatorët janë ankuar më së shumti për procedurën e hapur të thjeshtuar për mallrat ku nga 2298 procedura janë regjistruar 384 ankesa. Po kështu në procedurën e hapur mbi kufirin e lartë monetar nga 911 procedura janë regjistruar 202 ankesa.
Vendimmarrja e Komisionit
Të dhënat e raportit tregojnë se Komisioni ka pranuar 566 ankesa për vitin 2024. Nga një total prej 566 ankesash ose 49.9 %, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë 232 prej tyre ose 41 % janë pranuar në mënyrë të plotë nga KPP dhe 334 ankesa, ose 59%, janë pranuar pjesërisht nga KPP.
Nga 363 ankesa ose 32% për të cilat Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur mospranimin e tyre, rezulton se 118 prej tyre nuk kanë plotësuar kushtet formale, 69 ankesa janë refuzuar për shkak të tejkalimit të afatit ligjor, 49 ankesa janë refuzuar, për shkak se ankimuesit nuk kanë paraqitur mandatin e pagesës së ankesës, ndërsa 245 ankesa nuk janë pranuar në themel mbi pretendimet e operatorëve ekonomikë./ekofin.al


