Tarifat për shërbimet postare mund të rriten. Ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, i hedhur për konsultim publik, parashikojnë ndër të tjera se në rregullimin e tarifës për shërbimin universal postar AKEP-i vlerëson edhe të dhënat më të fundit për :a) praktikën më të mirë të vendeve të BE-së;b) tarifat mesatare të vendeve të BE-së; c) tarifat e vendeve të rajonit me zhvillim të ngjashëm me Republikën e Shqipërisë; ç) raportet ndërmjet tarifave të shumicës dhe pakicës; d) normën e fitimit të arsyeshëm, të realizuar nga ofruesit e tjerë të shërbimeve postare në vendet e BE-së dhe në vendet me zhvillim të ngjashëm me Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, propozohet që në tarifat e reja postare të merret në konsideratë edhe indeksimi i tyre me koeficentin e inflacionit mesatar vjetor bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT. Nëse minimalisht do të merrej në konsideratë ky ndryshim, tarifat do të kishin rritje të konsiderueshme, duke qënë se sidomos vitet e fundit, inflacioni ka qënë i lartë.
Gjithashtu, sipas dokumentit, projektligji synon përmirësimin e disa parashikimeve në kuadrit ligjor për shërbimet postare, në reflektim të zhvillimeve të tregut postar si dhe adresimin e disa nevojave të ofrimit të shërbimit universal postar.
Subjektet fizike dhe juridike ofrues të shërbimit postar tashmë në aplikimin për autorizimin e përgjithshëm nga Akep duhet të paraqesin edhe një deklaratë/dokumente që provojnë se zotërojnë kapacitetet teknike, ligjore dhe financiare të nevojshme për ofrimin e shërbimeve postare, si dhe një deklaratë se i njohin kërkesat thelbësore dhe do të zbatojnë detyrimet ligjore për ofrimin e shërbimit postar.
Me këtë propozim synohet të forcohen rregullat për ofruesit e shërbimit postar me qëllim rritjen e garancive për zbatimin e kërkesave ligjore në mbrojtje të konsumatorit dhe për interesin publik, thuhet në relacion.
Gjithashtu riformulimi i nenit 10 saktëson dhe plotëson rastet kur AKEP-i bën çregjistrimin e ofruesit të shërbimit postar nga regjistri i autorizimit. Përveç sa është aktualisht e parashikuar në ligj është shtuar dhe çregjistrimi me nismën e AKEP, nëse rezulton se ofruesi i shërbimit ka mbyllur apo pezulluar aktivitetin tregtar, në rastin e revokimit të autorizimit, ose në zbatim të një vendimi përfundimtar gjykate apo administrativ, për shkaqe të bazuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Një tjetër ndryshim i propozuar është që ofruesi i shërbimit universal postar, Posta Shqiptare, që ofron shërbime financiare të ndryshme nga shërbimi postar, ka të drejtë të hapë llogari rrjedhëse në Bankën e Shqipërisë.
Ky propozim vjen si kërkesë e vetë Postës, e cila e ka pasur më herët, por i është hequr me ndryshimet ligjore të vitit 2015. Posta Shqiptare sh.a. prej vitesh krahas shërbimeve postare ka ofruar dhe shërbime financiare bazuar dhe në licencën e lëshuar nga Banka e Shqipërisë për shërbimet financiare jobankë. Ajo është e pajisur gjithashtu me licencë nga BSH si institucion i parasë elektronike në Republikën e Shqipërisë. /ekofin.al
