Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat mbajti sot diskutime për projektligjin për menaxhimin e mbetjeve nga prodhuesi i vetë produktit, duke e miratuar atë në parim, por ndërkohë kërkoi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit informacion lidhur me adresimin e shqetësimeve të ngritura nga grupet e interesit në këtë sektor.
Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, paraqiti projektligjin në Komision, ku theksoi se vjen si një kërkesë edhe në kuadër të hapjes së negociatave, ku në kapitullin 27, “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”, përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit janë ndër parimet themelore që duhen transpozuar në kontekstin e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Këto kompani, sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian për mbetjet, kanë detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të menaxhuar mbetjet që gjenerohen nga produktet e tyre. Detyrimet e tyre rregullohen në një legjislacion të posaçëm në nivelin e Bashkimit Evropian.
“Projektligji ka si qëllim të krijojë sistemin e përgjegjësive të zgjeruara të subjekteve prodhuese për produktet që gjenerojnë mbetje dhe të sigurojë që çdo person fizik ose juridik që zhvillon, prodhon, përpunon, trajton, shet ose importon mbi baza profesionale, produkte që gjenerojnë mbetje pas përdorimit, të mbajë përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit në funksion të rritjes së ripërdorimit, parandalimit, riciklimit dhe rikuperimeve të këtyre produkteve”, tha ai.
Kreu i Komisionit, Eduard Shalsi tha se “grupet e interesit kanë ngritur shqetësim duhet të dëgjojmë pretendimet që ata kanë paraqitur në fazën e konsultimit publik, dhe më pas të shkojmë drejt një vendimmarrjeje të mirëmenduar dhe mirëpeshuar për pasojat”.
“Jemi dakord që prodhuesit të marrin përgjegjësitë për produktet e tyre, jo vetëm për momentin që e hedh në treg, por edhe pasi të jetë konsumuar. Mbështesim aplikimin e direktivës, por duhet të kuptojmë stadin aktual të kapaciteteve të sipërmarrjes, kur duhet të fillojnë efektet e këtij ligji dhe të kuptojmë se cilat janë vështirësitë që kanë“, tha ai.
Nga ana e saj, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin për qëllimin e këtij projektligji.
“Pse nuk vjen projektligji si pjesë e iniciativës “Për ligjin e integruar të mbetjeve”. Ka një hierarki ligjore duhet të vijë fillimisht ligji, pastaj gjithë komponentët e integruar të mbetjeve brenda këtij ligji kuadër dhe të rishikohen paralelisht. Ardhja në këtë mënyrë duket e porositur. Nuk po nxitoj ta quaj klientelist, por që ka shumë interes mbrapa. Duhet të shikojmë të gjithë situatën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në mënyrë integrale. Nuk mund të vazhdojmë me incenerime, djegie”, tha ajo.