Ligji i ri për koncesionet dhe partneritetin publik, i cili ka qenë në konsultim publik deri në datën 11 qershor 2025, ka marrë komentet nga palët e interesuara.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, krahas komenteve të përgjithshme mbi dokumentet shpjeguese të Direktivave Evropiane mbi koncensionet dhe prokurimin publik, ka adresuar çështjen mbi komunikimin dhe angazhimin e palëve të interesuara gjatë ciklit jetësor të projekteve koncesioni/ PPP-së. Sipas Dhomës, mekanizmi i konsultimit publik duhet të ndryshojë duke iu përshtatur qëllimit të secilës fazë, ku të sigurohet konsultimi dhe angazhimi i palëve të interesuara.
Dhoma ka sugjeruar gjithashtu se procesi i krijimit dhe kërkesave përzgjedhëse të anëtarëve të komisionit të koncesionit/partneritetit publik privat nuk është i qartë. Procesi i përzgjedhjes dhe pavarësia e komisionit është thelbësore për të siguruar besueshmërinë dhe efektivitetin e dhënies së koncesionit/ PPP-ve.
Gjithashtu, duke u bazuar edhe në progres raportin e vitit 2024 të Komisionit Evropian, sugjerohet që si ATRAKO, ashtu edhe Ministria e Financave, duhet të forcojnë raportimin e tyre mbi PPP-të. Për këtë arsye, sugjerohet parashikimi për detyrimin e ATRAKO për raportim tek një organ kushtetues i pavarur, si Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Një koment i rëndësishëm vjen gjithashtu mbi përcaktimin qartazi në projektakt për eliminimin e çdo mundësie për “Përjashtimet Speciale” nga rregullat në fuqi, me qëllim për të zvogëluar rrezikun e aktiviteteve potencialisht korruptive dhe trajtimin e pabarabartë të subjekteve.
Dhënia e pasurive publike dhe/ose e të drejtave për ofrimin e mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet negocimit të drejtpërdrejtë me një subjekt të caktuar, duke anashkaluar si legjislacionin për koncesionet dhe partneritetin publik privat ashtu edhe legjislacionin për prokurimet publike është një praktikë që duhet ndaluar shprehimisht me ligj, thuhet në reagimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Kjo praktikë lë vend për abuzim, që do të thotë: edhe nëse në rastin më të mirë, nuk ka korrupsion, por një iniciativë të qeverisë për të realizuar një projekt të caktuar, ka një shkelje të parimit të barazisë, për shkak se mungon procedura konkurruese për gjetjen e ofertës më të mirë në treg. Në këto kushte, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka sugjeruar që të shtohet një nen i posaçëm në projektakt që të përcaktojë se projektet koncesionare dhe/ose të partneritetit publik privat nuk mund të shmangin dispozitat e projektaktit dhe se parlamenti nuk miraton dot projekte specifike apo kontrata koncesionare dhe PPP, që nuk kanë ndjekur procedurat e parashikuara në projektakt.
Më tej, në Nenin 60, paragrafi 4, shkronja c) iii, e cila lexon: “Kontrata e koncesionit mund të ndryshohet pa procedurë të re të përcaktuar me këtë ligj, në rastet e mëposhtme: […] nuk kalon pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së kontratës fillestare për çdo modifikim” është sugjeruar të shtohet: “Kur bëhen disa modifikime të njëpasnjëshme, ky kufizim do të zbatohet për vlerën e secilit modifikim.
Këto modifikime të njëpasnjëshme nuk do të synojnë anashkalimin e dispozitave të këtij ligji.
Dhoma propozon gjithashtu që në nenin 62 të hiqet parashikimi për përqindjen e nënkontraktimit, dhe në vend të saj kjo përqindje të parashikohet në kontratat koncesionare nga autoriteti ose enti kontraktues në varësi të projektit.
Projektligji ka marrë gjithashtu komentet e Organizatës “Instituti Shqiptar i Shkencave” (AIS), e cila gjykon se draftligji paraqet mangësi dhe paqartësi. AIS ka identifikuar se aktualisht 7 nga 15 kontrata koncesion PPP me mbështetje nga Buxheti i Shtetit janë nën hetim nga Prokuroria Speciale Antikorruspion.
Sipas AIS, neni 4 pika 3 ka përmbajtje të ekzagjeruar. Koncepti Koncesion me çmim 1 euro nuk duhet në legjislacionin PPP e koncesione. Zgjidhjet “Shqipëria 1 Euro” janë aplikuar për të tërhequr investitorët, por kjo nuk duhet të përfshihet në kontrata afatgjata. Një model i tillë madje mungon ne legjislacion në vendet e BE-së.
Po kështu, ligji i jep Këshillit të Ministrave kompetenca të tepruara, duke tejkaluar rregullimet ligjore. Nuk ka kuptim të kemi një fushë zbatimi të përcaktuar me ligj e më tej t’i lejohet ekzekutivit ta zgjeroje këtë fushë, thekson organizata.
Sa i përket funksionimit të agjencisë ATRAKO, ku është parashikuar buxhetim jo i drejtpërdrejtë publik, parashikohet funksionim buxhetor me donacione. Kjo nuk ka sens për një institucion me kompetenca publike, thuhet në reagimin e AIS.
Organizata sugjeron gjithashtu miminimizimin e propozimeve të pakërkuara, si dhe identifikon mungesën e parashikimeve për plotësimin e ligjit me aktet nënligjore.
Në përmbyllje të reagimit identifikohet gjithashtu se ligjit i mungon kriteri i kontrollit të integritetit të pronarit përfitues, pasi nuk ka vënë asnjë klauzolë transparence apo klauzolë ku paketa e kontrollit të aksioneve të partnerit privat të jetë e njohur dhe e autorizuar në rast tjetërsimi me ndryshime në regjistrin tregtar shqiptar apo ndryshime në regjistra tregtarë të huaj./ekofin.al
