Kuvendi i Shqipërisë ka marrë në shqyrtim një projektligj të ri që synon të transformojë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset identifikohen dhe ndërveprojnë me shërbimet publike dhe private në epokën digjitale. Projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital” vendos bazat ligjore për krijimin e një infrastrukture moderne, të sigurt dhe të ndërveprueshme në nivel kombëtar dhe evropian.
Në thelb, nisma synon të garantojë një nivel të lartë sigurie në përdorimin e identifikimit elektronik, duke lehtësuar aksesin në shërbime online për individët dhe subjektet juridike. Ligji është i përafruar plotësisht me kuadrin e Bashkimit Evropian, përfshirë rregulloren eIDAS dhe ndryshimet më të fundit për krijimin e identitetit digjital evropian, çka e vendos Shqipërinë në të njëjtin trajektore integrimi me tregun digjital europian.
Elementi më inovativ i projektligjit është krijimi i “portofolit të identitetit digjital”, një mjet elektronik që do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë, menaxhojnë dhe ndajnë në mënyrë të sigurt të dhënat e tyre personale dhe dokumentet digjitale. Ky portofol do të funksionojë si një “ID digjitale” e zgjeruar, që shkon përtej kartës së identitetit tradicionale.
Përmes tij, përdoruesit do të kenë mundësi të identifikohen online dhe offline; të nënshkruajnë dokumente me nënshkrim elektronik të kualifikuar; të ndajnë vetëm të dhënat e nevojshme (parimi i minimizimit të të dhënave); të gjurmojnë çdo përdorim të të dhënave të tyre dhe të kërkojnë fshirjen e tyre; si edhe të përdorin pseudonime kur nuk kërkohet identifikim i plotë.
Një element i rëndësishëm është fakti që përdorimi i portofolit do të jetë vullnetar dhe pa pagesë për individët, ndërsa shteti garanton që akses në shërbime të mbetet i mundur edhe me metoda alternative identifikimi.
Projektligji vendos standarde të larta për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike. Përdoruesit do të kenë kontroll të plotë mbi informacionin e tyre, ndërsa ofruesit e portofolit nuk do të lejohen të mbledhin apo të përdorin të dhëna përtej asaj që është e nevojshme për funksionimin e shërbimit.
Një tjetër risi është kërkesa që pjesë e kodit të aplikacionit të jetë “open source”, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e sistemit. Në rast të incidenteve të sigurisë, autoritetet kanë detyrimin të pezullojnë menjëherë përdorimin e portofolit dhe të informojnë përdoruesit.
Ligji parashikon që sistemet shqiptare të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara të jenë të njohura ndërkufitarisht, duke hapur rrugën që qytetarët shqiptarë të përdorin identitetin e tyre digjital edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shërbimet financiare dhe bankare; tregtinë elektronike; shërbimet publike ndërkufitare; si edhe lëvizjen e lirë të biznesit dhe individëve.
Projektligji vendos gjithashtu detyrime konkrete për institucionet publike dhe sektorin privat. Organet publike do të duhet të pranojnë identifikimin përmes portofolit për shërbimet online, ndërsa kompani të mëdha në sektorë si bankat, energjia, telekomunikacioni dhe shëndetësia do të duhet ta integrojnë atë brenda një afati të caktuar.
Nga ana tjetër, palët private që përdorin këtë sistem duhet të regjistrohen dhe të deklarojnë qartë të dhënat që kërkojnë nga përdoruesit, duke kufizuar abuzimet dhe kërkesat e panevojshme për informacion.
Ky projektligj përbën një nga reformat më të rëndësishme në transformimin digjital të vendit. Ai krijon bazën për një ekonomi më të integruar, më efikase dhe më transparente, duke reduktuar burokracinë dhe rritur besimin në shërbimet online.
Në të njëjtën kohë, ai pozicionon Shqipërinë si një vend që ndjek standardet më të avancuara europiane në identitetin digjital, një element kyç për zhvillimin e tregut të brendshëm dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian. /ekofin.al
