Individët që guxojnë të raportojnë shkelje të ligjit në vendin e punës, shpesh përballen me pasiguri, mosbesim dhe madje edhe hakmarrje. Shumë prej tyre hezitojnë të thyejnë heshtjen nga frika e humbjes së vendit të punës, dëmtimit të reputacionit apo izolimit profesional. Për t’i dhënë fund kësaj situate, qeveria ka paraqitur një projektligj të ri që synon të forcojë mbrojtjen e sinjalizuesve, duke zgjeruar fushën e zbatimit dhe mekanizmat e mbrojtjes.
Tri rrugë për sinjalizim
Projektligji parashikon tre forma sinjalizimi: të brendshëm, përmes njësive përgjegjëse të ngritura në institucione publike ose kompani private; të jashtëm, përmes Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI); publik, përmes medias ose publikimeve të drejtpërdrejta nga sinjalizuesi.
Ndryshe nga ligji aktual, edhe sinjalizimi publik do të gëzojë mbrojtje ligjore, nëse personi ka vepruar në mirëbesim dhe përmbush disa kushte të përcaktuara.
Zgjerimi i fushës së mbrojtjes
Një ndër risitë kryesore është se projektligji nuk fokusohet më vetëm tek korrupsioni, por shtrihet në një gamë më të gjerë fushash si: përdorimi i fondeve publike, prokurimet, tregjet financiare, parandalimi i pastrimit të parave, siguria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, shëndeti publik, të dhënat personale dhe siguria kibernetike.
Për më tepër, mbrojtja ligjore do të shtrihet jo vetëm mbi sinjalizuesin, por edhe mbi ndihmësit, personat e lidhur me të dhe madje edhe mbi subjektet juridike me të cilat ai ka marrëdhënie pune ose biznesi.
Njësi të reja përgjegjëse
Çdo institucion publik ose subjekt privat me mbi 50 punonjës do të jetë i detyruar të ngrejë një njësi të posaçme përgjegjëse për trajtimin e sinjalizimeve. Kjo është një ndryshim i rëndësishëm krahasuar me ligjin aktual, i cili parashikonte një prag prej 80 punonjësish. Njësitë do të kenë detyrimin të shqyrtojnë çdo raportim, përfshirë edhe sinjalizimet anonime, dhe të raportojnë çdo vit pranë ILDKPKI-së.
Mbrojtje kundër hakmarrjes
Projektligji ndalon qartësisht çdo formë hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit – nga shkarkimi nga puna dhe ulja në detyrë, te transferimi, presioni psikologjik, dëmtimi i reputacionit apo përjashtimi nga trajnime dhe ngritje në detyrë. Edhe “listat e zeza” apo dëmtimet në marrëdhëniet e biznesit do të konsiderohen si veprime të paligjshme.
Një tjetër risi është se kërkesat për mbrojtje nga veprimet hakmarrëse do të trajtohen ekskluzivisht nga ILDKPKI, e cila ka rol qendror në garantimin e të drejtave të sinjalizuesve.
E drejta për ndihmë juridike falas
Për të fuqizuar edhe më tej pozitën e sinjalizuesve, projektligji u njeh atyre të drejtën për ndihmë juridike falas, duke u ofruar mbështetje në përballjen me sfidat ligjore dhe institucionale që mund të lindin pas sinjalizimit.
Më shumë transparencë dhe besim
Në thelb, ky projektligj synon të krijojë një kulturë të re transparence, ku çdo individ ndihet i sigurt për të denoncuar shkeljet. Inkurajimi i sinjalizimit të brendshëm, përmes njësive të posaçme, pritet të ndihmojë në zgjidhjen më të shpejtë të problematikave dhe në rritjen e efektivitetit të institucioneve publike dhe private./ekofin.al
