Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik projekligjin që parashikon ndryshimet për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore.
Bëhet fjalë për aktivitetet që lidhen me teknologjitë inovative në bujqësi si; agrifotovoltaike, aeroponia, hidroponia dhe akuaponia.
Përdorimi i këtyre teknologjive të reja do të sjellë rritjen e investimeve dhe të prodhimit bujqësor, duke shfrytëzuar dhe vënë në eficencë toka bujqësore me pjellori të ulët, thuhet në relacionin shoqërues.
Parashikimi i afatit të qirasë është deri në 30 vjet për kontratat e qerasë afatmesëm, ku përfshihet ndërtimi i serave/infrastrukturës për sistemet që mbështesin zhvillimin e aktivitetit të Aeroponisë, Akuaponisë dhe Hidroponisë.
Në rast se aktiviteti bujqësor shoqërohet me prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e tokës, afati i instalimit të infrastrukturës së prodhimit të energjisë është i njëjtë me afatin e ushtrimit të aktivitetit bujqësor të parashikuar.
Sipas projekligjit, tokat bujqësore në administrim të ministrisë përgjegjëse për bujqësisë që kalojnë në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike përjashtohen nga ankandi publik.
Kur subjektet e shpallur investitorë strategjikë, marrin me qira tokën bujqësore dhe prodhojnë energji nga burime të rinovueshme me sisteme agrifotovoltaik, kontrata nënshkruhet nga ministria përgjegjëse për bujqësinë, ministria përgjegjëse për ekonominë dhe ministria përgjegjëse për energjinë.
Gjithashtu, tokat bujqësore të kategorisë 9 dhe 10 të Bonitetit, në administrim të ministrisë përgjegjëse për bujqësisë lejohen të jepen për aktivitet fotovoltaik vetëm për investitorët strategjikë sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike. Sipërfaqet përkatëse të tokës transferohen në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.
Kontrata tip që lidhet me investitorët strategjikë miratohet nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe ministri përgjegjës për ekonominë./ekofin.al