Shqipërisë do t’i shtohen më shumë noterë.
Në projektligjin për ndryshimet ligjore në ligjin për noterinë, parashikohet ndryshimi i numrit të noterëve nga 1 noter për çdo 15 000 banorë rezidentë në 1 noter për 7000 banorë rezidentë.
Ky ndryshim është bazuar në kërkesën e argumentuar të Dhomës Kombëtare të Noterëve. Me ndryshimet në ligj, çdo vend vakant do të plotësohet nëpërmjet konkurrimit, në të cilin mund të marrin pjesë noterët që kanë kërkuar transferim në këtë pozicion dhe zëvendësnoterët që kanë shprehur interesin për vendin e ri vakant. Plotësimi i vendit vakant do të bëhet në varësi të rezultatit të konkursit.
Ky ndryshim është kryer për të garantuar të drejtën e zëvendësnoterëve për të marrë licencën e noterit. Sipas parashikimeve aktuale, një zëvendësnoter duhet të presë që fillimisht të shpallet vendi vakant nëpërmjet rasteve të heqjes së licencave ose vdekjes apo daljes në pension të një noteri.
Një tjetër ndryshim parashikohet për uljen e viteve të punës nga 3 në 1 vit pune si zëvendësnoterë.
Projektligji parashikon gjithashtu pezullimin e e përkohshëm të licencës për qëllime akademike, kualifikimi profesional ose specializimi në një institucion trajnimi, për një periudhë maksimale deri në 3 vite. Në këtë mënyrë noterët do të mund të ndjekin trajnime e studime që kanë si synim rritjen profesionale të tyre të cilat mund të kontribuojnë në rritjen profesionale të tyre dhe të cilësisë së shërbimit që ato ofrojnë.
Projektligji qartëson gjithashtu rolin e inspektimeve tematike, për të siguruar që të inspektohen ato aspekte të veprimtarisë së noterëve, të cilat hasen te një numër i lartë noterësh, pra kur moszbatimi i duhur i ligjit shfaqet si fenomen ose problematikë e përhapur në masë.
Raste të tilla mund të lidhen me pretendime të njëjta apo të ngjashme që mund të ngrihen nga një numër i lartë personash fizikë ose juridikë publikë apo privatë, të cilat lidhen me të njëjtën problematikë të hasur në praktikë.
Nga ana tjetër, inspektime të tilla mund të nisen edhe kryesisht me iniciativën e ministrit të Drejtësisë, kur e vëren të nevojshme për të qartësuar praktikën e ndjekur nga noterët. /ekofin.al
