Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për barazinë gjinore”.
Projektligji i ri parashikon masa të përkohshme dhe të veçanta për garantimin e barazisë gjinore, përfshirë edhe në fushën e komunikimit dhe reklamave audiovizive me qëllim shmangien e gjuhës së ndjeshme gjinore dhe stereotipet gjinore.
Masat e përkohshme përfshijnë kuotat për të arritur përfaqësim të barabartë gjinor, në çdo fushë, ku personat e njërës gjini nuk gëzojnë pozitë të barabartë me personat e gjinisë tjetër, gjithashtu edhe për shkak të gjendjes familjare apo shëndetësore, apo një gjendje të veçantë që nuk varet prej tyre.
Ndërsa në masat e veçanta përfshijnë edhe dispozita ligjore, që synojnë mbrojtjen e posaçme të grave gjatë shtatzënësisë, lindjes dhe paslindjes, mbrojtjen e nënave të reja, si dhe të prindërve të rinj, për shkak të lindjes natyrore ose të birësimit të fëmijës apo të dhënies apo marrjes së fëmijës në kujdestari, duke krijuar kushte për mbrojtjen dhe lehtësimin e tyre në punë, sigurimet shoqërore e ndihmat sociale, sigurimin e ndihmës së nevojshme shëndetësore për nënën dhe fëmijën, sigurimin dhe nxitjen e sistemit të shërbimeve sociale, duke favorizuar zhvillimin e rrjetit të çerdheve e kopshteve.
Projektligji synon gjithashtu lehtësimin e ndihmën për personat, që kanë përgjegjësi të veçanta në familje, për shkak të përkujdesjes së përditshme ndaj anëtarëve të paaftë të familjes, për shkak të moshës, paaftësisë fizike apo mendore ose për shkaqe të tjera paaftësie etj.
Përfaqësimi gjithpërfshirës në sistemet e vendimmarrjes arrihet nëse sigurohet barazia në masën 30 – 50 për qind për secilën gjini, për pozicionet vendimmarrëse në pozicionet drejtuese vendore, kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet vendimmarrëse të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, institucioneve të tjera publike, si dhe subjekteve private.
Projekligji specifikon gjithashtu se puna e papaguar vlerësohet kontribut për zhvillimin e familjes dhe të shoqërisë, kur gratë dhe burrat kujdesen për mirëqenien e familjes, për fëmijët; për anëtarë të tjerë të familjes apo ata që punojnë në bujqësi dhe ekonomi familjare. Këto subjektet përfitojnë nga shërbimet në komunitet, politikat e kujdesit shëndetësor dhe social, politikat e punës dhe të punësimit, si dhe të aftësimit dhe formimit profesional, në bazë të legjislacionit në fuqi.
Sipas dokumentit, institucionet publike hartojnë dhe miratojnë politika për balancën punë-jetë, gjithashtu edhe punëdhënësit privatë duhet të rishikojnë rregullat e punësimit, dispozitat e kontratave individuale dhe kolektive të punës, me qëllim përfshirjen e rregullave për orare fleksibël dhe të reduktuara pune, si dhe kryerjen e punës në distancë.
Instituti i Statistikave, jo më pak se një herë në 4 vjet, do të publikojë anketën për përdorimin e kohës dhe punën e papaguar.
Projektligji parashikon gjithashtu gjoba për shkeljet e dispozitave ligjore, ku personi fizik, ndëshkohet nga 60 000 deri 120 000 lekë; personi juridik nga 120 000 deri 200 000 lekë; personi fizik brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen, nga 60 000 deri 160 000 lekë; personi, i cili ushtron funksion publik dhe është përgjegjës për shkeljen në bazë të këtij ligji, nga nga 60 000 deri 160 000 lekë.
Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji nga partitë politike zbatohen dispozitat e legjislacionit zgjedhor në fuqi.
Projektligji parashikon gjithashtu shpërblim për dëmin kontraktror dhe jashtëkontraktor sipas rastit për subjektet që pretendojnë trajtimin në kundërshtim parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji.
Efekti i përgjithshëm financiar i këtij projektligji është vlerësuar në 402 milionë lekë në katër vite (2025-10.2%; 2026-8.8%; 2027-26.2% dhe 2028-54.8%). /ekofin.al
