Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e vitit 2020 lidhur me projektin turistik “San Pietro”, të zhvilluar nga kompania “Concord Investment” sh.p.k.. Vendimi i ri parashikon shtyrjen e afatit të statusit strategjik dhe vënien në dispozicion të një prone shtetërore për qëllime rekreative.
Çfarë parashikon vendimi i ri?
Vendimi parashikon styrjen e afatit të statusit “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” për një periudhë 1-vjeçare. Gjithashtu do të ketë masa mbështetëse për konsolidim toke dhe vënien në dispozicion të një sipërfaqeje shtetërore prej rreth 1 hektar në ZK 2375 (pasuritë nr. 145/3 dhe 145/9), që do të përdoret si zonë gjelbërimi dhe hapësira sportive e argëtuese për fëmijë, pa leje ndërtimi.
Vendimi garanton gjithashtu angazhimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për ndarjen, rikonfigurimin dhe regjistrimin e pronave të reja, sipas gjurmës së përcaktuar në Aneksin e vendimit.
Gjithashtu konfirmohet se në rast të zbulimit të të dhënave të pavërteta gjatë zbatimit të projektit, KIS ka të drejtë të anulojë statusin strategjik.
Historiku i projektit “San Pietro”
Projekti turistik “San Pietro” i kompanisë “Concord Investment” sh.p.k. ka marrë statusin strategjik që në vitin 2017, ndërsa në vitin 2019 përfitoi edhe statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje – status special”. Projekti është pajisur me leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit në vitin 2018, të rishikuar në vitin 2020.
Për të lehtësuar realizimin e tij, në vitin 2020 KIS shtyu afatin e statusit strategjik. Pas përfundimit të strukturës turistike dhe kolaudimit të saj, në qershor 2023 u miratua në parim e drejta e përdorimit të brigjeve dhe plazhit përballë kompleksit për një afat 30-vjeçar, e cila u bë përfundimtare në gusht 2024 me VKM nr. 519 dhe u formalizua me kontratë me Bashkinë Durrës.
Së fundmi, investitori ka kërkuar një sipërfaqe shtetërore prej 2.1 ha për rekreacion dhe argëtim, por verifikimet kadastrale kanë konfirmuar si të mundshme për vënie në dispozicion vetëm rreth 1 ha tokë shtetërore (pasuritë nr. 145/3 dhe 145/9 në ZK 2375).
Vendimi i fundit i KIS i jep projektit një hapësirë shtesë funksionale dhe konsolidon kuadrin ligjor për zhvillimin e mëtejshëm të kompleksit turistik “San Pietro” në Ishëm, një nga projektet më të mëdha turistike në qarkun e Durrësit. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

