Projekligji për efiçencën e energjisë, në konsultim publik, parashikon një qasje shumë më të rreptë ndaj konsumit të energjisë, duke sjellë detyrime të reja për ndërmarrjet e mëdha, institucionet publike dhe qendrat e të dhënave.
Konsumatorët e mëdhenj të energjisë: kush janë dhe çfarë duhet të bëjnë
Sipas ligjit, konsumator i madh energjie konsiderohet çdo subjekt, publik apo privat, që gjatë tre viteve të fundit ka pasur konsum mesatar vjetor mbi 85 TJ energji ose, në një kategori më të ulët, mbi 3 TJ. Të parët janë të detyruar të ngrenë një sistem të menaxhimit të energjisë, të certifikuar sipas standardeve evropiane apo ndërkombëtare. Afati i fundit për ta është 31 dhjetori 2028 dhe certifikimi i sistemit është i detyrueshëm. Ndërkohë, ata me konsum mbi 3 TJ duhet t’i nënshtrohen auditimit energjetik, proces që duhet kryer për herë të parë deri në 31 mars 2027 dhe më pas të përsëritet çdo tre vjet.
Brenda 60 ditëve nga dorëzimi i raportit te agjencia përgjegjëse për efiçencën e energjisë, konsumatori i madh duhet të hartojë një Plan Veprimi të detajuar, me masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Plani duhet të garantojë kursimin e të paktën 4% të energjisë së konsumuar dhe hartohet në bashkëpunim me menaxherin e energjisë. Konsumatorët që kanë certifikuar sistemin e tyre sipas ISO 50001 nuk përjashtohen nga detyrimet: ata duhet të raportojnë çdo vit, deri më 31 mars, masat e zbatuara dhe kursimet e arritura.
Mosrespektimi i këtyre afateve dhe detyrimeve sjell pasoja të drejtpërdrejta financiare. Ligji parashikon penalitete deri në 1 milion lekë për konsumatorët e mëdhenj që nuk kryejnë auditimin energjetik, nuk dorëzojnë raportet vjetore të progresit ose nuk punësojnë menaxherin e energjisë. Edhe qendrat e të dhënave që tejkalojnë inputin 1 MW dhe nuk sigurojnë përdorimin ose rikuperimin e nxehtësisë së mbetur gjobiten me 1 milion lekë.
Menaxherët e energjisë
Sipas draftit, çdo konsumator i madh energjie dhe çdo njësi e qeverisjes vendore është e detyruar të punësojë të paktën një të tillë. Menaxheri i energjisë nuk mund të punojë njëkohësisht për më shumë se një subjekt, ndërsa kërkohet të ketë kualifikime profesionale dhe eksperiencë praktike në kursimin e energjisë. Ai do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e pajisjeve, mbikëqyrjen e mënyrës së përdorimit të energjisë, implementimin e masave të kursimit dhe raportimin e vazhdueshëm tek agjencia përkatëse.
Roli i menaxherit është thelbësor edhe në hartimin e Planit të Veprimit pas auditimit energjetik. Ai duhet të japë zgjidhje teknike, të analizojë koston dhe afatet e realizimit dhe të garantojë që masat e zgjedhura janë të zbatueshme. Mosraportimi i tij i rregullt konsiderohet shkelje dhe gjobitet me 100 mijë lekë.
Kundërvajtjet administrative dhe penalitetet: çfarë ndodh në rast shkeljesh
Projektligji parashikon gjoba për subjektet që nuk respektojnë detyrimet. Përveç penaliteteve për konsumatorët e mëdhenj dhe menaxherët e energjisë, një kategori tjetër që përfshihet është ajo e ekspertëve të pavarur të auditimit. Për shkelje të rëndë gjatë procesit të mbikëqyrjes, përveç një gjobe deri në 1.5 milion lekë, ekspertit i revokohet certifikata për një periudhë trevjeçare.
Për rastet ku qendrat e të dhënave nuk zbatojnë kërkesat për rikuperimin e nxehtësisë së mbetur, ligji parashikon po ashtu një penalitet prej 1 milion lekësh./ekofin.al
