Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur në konsultim publik projekligjin e ri për efiçencën e energjisë, një nismë që synon të përshpejtojë tranzicionin energjetik në sektorin publik. Dokumenti sjell detyrime të reja për institucionet qendrore dhe vendore, si dhe standarde të reja për prokurimet publike, ndërtesat, automjetet dhe shërbimet.
Projekligji përcakton se parimi “efiçenca në krye” bëhet i detyrueshëm për të gjitha autoritetet publike që hartojnë strategji, politika dhe plane kombëtare apo lokale, si dhe gjatë planifikimit e zbatimit të investimeve me vlerë mbi 100 milionë euro. Ky parim kërkon që çdo projekt: energjetik apo joenergjetik, duke përfshirë transportin, ndërtesat, industrinë dhe bujqësinë të analizojë dhe të prioritizojë kursimin e energjisë që në fazën e konceptimit.
Institucionet shtetërore detyrohen të bëhen “shembulli i parë” i përdorimit racional të energjisë, duke filluar nga prokurimet publike.
Sipas nenit 7 të projekligjit, institucionet publike që rastet e prokurimeve do të duhet të zbatojnë rregullat e përcaktuara të detyrueshme për efiçencën. Kufizime dhe përjashtime aplikohen vetëm për raste të sigurisë publike, emergjencave shëndetësore dhe për kontratat ushtarake, në masën që nuk pengojnë funksionin e Forcave të Armatosura.
Të gjitha kontratat që kapin vlerën e përcaktuar në rregullat e prokurimit duhet të respektojnë detyrimet e këtij ligji. Gjatë blerjes së paketave të produkteve, autoritetet duhet të zgjedhin opsionin që i përket klasës më të lartë të efiçencës së energjisë, sipas kritereve kombëtare dhe të BE-së.
Ndërtesat dhe teknologjitë e blera nga shteti, vetëm me standarde të larta energjetike
Autoritetet publike detyrohen të blejnë ose marrin me qira ndërtesa që përputhen me kërkesat minimale të performancës energjetike. Mund të përjashtohen nga këto kritere vetëm ndërtesat që synohen për rinovim të thellë, shitje, apo që janë të mbrojtura për vlerat arkitekturore dhe historike.
Po kështu, institucionet do të duhet të prokurojnë goma, kompjuterë, ndriçim publik, serverë dhe pajisje të tjera vetëm në versionet që plotësojnë standardet më të larta të efiçencës së karburantit ose energjisë. Ndërkohë, me hyrjen në fuqi të ligjit, të gjitha automjetet e reja që prokurohen nga autoritetet publike duhet të jenë elektrike ose hibride.
Objektivat për uljen e konsumit të energjisë në sektorin publik
Sipas projektligjit, nga viti 2027, të gjitha organet publike do të duhet të ulin konsumin final total të energjisë me të paktën 1% në vit, krahasuar me nivelin e vitit 2021.
Agjencia për Efiçencën e Energjisë, e cila do të krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, do të mbledhë dhe raportojë të dhënat çdo vit deri më 31 mars.
Sipas dispozitave ligjore, bashkitë duhet të hartojnë plane lokale brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe çdo njësi e qeverisjes vendore duhet të ketë të paktën një menaxher energjie të certifikuar.
Bashkitë do të krijojnë baza të dhënash për konsumin e energjisë dhe do të monitorojnë kursimet në ndërtesat publike, ujësjellës, ndriçim rrugor dhe aktivitetet e tjera me konsum të lartë.
Agjencia qendrore do të vërë në dispozicion edhe një program kompjuterik kombëtar për menaxhimin dhe monitorimin e të dhënave energjetike në nivel vendor./ekofin.al

