Departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes pranë Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, janë në përmbyllje të hartimit të programit qeverisës 2025-2029.
Sipas ekspertëve të opozitës, për 4 vitet e ardhshme, rritja ekonomike do të mbështetet nga një sistem i thjeshtë fiskal, me norma të ulëta, reduktim të burokracive dhe praktikave korruptive.
PD propozon krijimin e një Banke Zhvillimore me kapital shtetëror dhe kontribut të skemave të garancisë së donatorëve ndërkombëtarë, e cila do të financojë me kosto minimale të gjitha projektet që konsiderohen prioritare për zhvillimin si start-up e të rinjve, projekte zhvillimore, projekte të emigrantëve shqiptarë, etj.
Gjithashtu, opozita, nëse vjen në pushtet, synon të ndërmarrë një reform të thellë të sistemit fiskal, përmes reduktimit të shkallëve tatimore, implementimin e një takse të sheshtë 10% mbi kapitalin, implementimin e tatimit 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para, si dhe heqjen e normës progresive të tatimit.
Ndërkohë, ekspertët e PD parashikojnë që tatimi mbi të ardhurat e tjera, përveç atyre nga punësimi, të jetë 10%, ndërsa taksimi mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël të jetë zero.
Sipas ekspertëve të PD, tavani vjetor për tatim-fitimin zero për biznesin e vogël do të jetë në 18 milionë lekë, ndërsa kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë 14 milionë lekë xhiro vjetore. Do te ulet nga 15% në 2% taksa e shitjes së pronës, si dhe do të hiqet “taksa mbi karburantet.
