Konsumatorët që blejnë një produkt me defekt dhe zgjedhin riparimin e tij mund të përfitojnë 12 muaj mbrojtje shtesë, përtej periudhës dyvjeçare të përgjegjësisë së shitësit. Ky është një nga ndryshimet më të rëndësishme të projektligjit të ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i cili parashikon detyrime më të qarta për bizneset në rastet kur produktet e shitura nuk përmbushin kushtet e kontratës.
Sipas nenit 106, shitësi përgjigjet për defektet që shfaqen brenda dy viteve nga dorëzimi i produktit. Nëse konsumatori ushtron të drejtën për riparimin e mallit, afati i përgjegjësisë së shitësit zgjatet një herë me 12 muaj, përtej periudhës fillestare dyvjeçare.
Në këtë mënyrë, për mallrat që plotësojnë kushtet e parashikuara, periudha e përgjegjësisë mund të arrijë në tre vjet.
Ndryshimi ka rëndësi veçanërisht për produktet elektronike dhe elektroshtëpiake, si telefonat, kompjuterët, televizorët, frigoriferët dhe lavatriçet, ku defektet mund të shfaqen pas një periudhe përdorimi.
Projektligji synon të nxisë riparimin e mallrave, në vend të zëvendësimit të menjëhershëm të tyre, duke i dhënë konsumatorit më shumë siguri se riparimi nuk do ta lërë pa mbrojtje ligjore.
Riparimi ose zëvendësimi duhet të kryhet pa pagesë
Neni 109 parashikon që, në rast defekti, konsumatori mund të zgjedhë ndërmjet riparimit dhe zëvendësimit të produktit. Megjithatë, kjo zgjedhje mund të kufizohet kur alternativa e kërkuar është e pamundur ose sjell kosto joproporcionale për shitësin.
Përpara se të ndërmarrë veprimet për eliminimin e defektit, shitësi duhet ta informojë konsumatorin për të drejtën e zgjedhjes dhe për zgjatjen e mundshme të periudhës së përgjegjësisë në rast riparimi.
Sipas nenit 111, riparimi ose zëvendësimi duhet të kryhet pa pagesë, brenda një kohe të arsyeshme dhe pa shkaktuar shqetësime të konsiderueshme për konsumatorin.
Për mallrat e instaluara, si pajisjet elektroshtëpiake, detyrimi mund të përfshijë edhe heqjen e produktit me defekt dhe instalimin e produktit të riparuar ose zëvendësues, apo mbulimin e shpenzimeve përkatëse.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që shitësi t’i ofrojë konsumatorit për përdorim të përkohshëm një mall zëvendësues falas gjatë riparimit, në varësi të karakteristikave të produktit. Ky është një opsion për shitësin dhe jo një detyrim automatik për çdo rast.
Kur konsumatori mund të kërkojë kthimin e parave?
Projektligji përcakton edhe rastet kur konsumatori mund të kërkojë uljen e çmimit ose zgjidhjen e kontratës së blerjes.
Kjo mund të ndodhë kur shitësi nuk e riparon ose zëvendëson produktin sipas kushteve ligjore, kur defekti shfaqet përsëri pas ndërhyrjes, ose kur është aq i rëndësishëm sa justifikon një zgjidhje të menjëhershme.
Konsumatori mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës edhe kur është e qartë se shitësi nuk do ta eliminojë defektin brenda një kohe të arsyeshme.
Megjithatë, nëse defekti është i papërfillshëm, konsumatori nuk ka të drejtë të zgjidhë kontratën vetëm për këtë arsye. Barra për të provuar se defekti është i papërfillshëm i takon shitësit.
Një tjetër dispozitë lidhet me barrën e provës. Sipas nenit 107, çdo defekt që konstatohet brenda vitit të parë nga dorëzimi i mallit prezumohet se ka ekzistuar në momentin e dorëzimit, përveç rasteve kur vërtetohet ndryshe ose kur ky prezumim nuk përputhet me natyrën e produktit apo defektit.
Konsumatori duhet ta njoftojë shitësin për defektin brenda dy muajve nga dita kur e ka zbuluar.
Ndryshimet synojnë të forcojnë përgjegjësinë e shitësve edhe pas realizimit të shitjes dhe të nxisin zgjatjen e jetëgjatësisë së produkteve. /ekofin.al
